Pamje të shkrepura rishtazi satelitore mbi rajonin e Nagorno-Karabakut në Azerbajxhan dhe mbi zonat përreth, tregojnë përmasat e mëdha të ndërtimeve që po zhvillohen me ritëm të shpejtë. Megjithatë, banorët e zhvendosur nga këto zona ende hezitojnë të kthehen në territoret e goditura nga lufta.
Ofensivat ushtarake të Azerbajxhanit për rimarrjen e territoreve nga forcat etnike armene përfunduan në vitin 2023 me marrjen e plotë të kontrollit mbi to. Bakuja ka investuar rreth 15 miliardë dollarë në rindërtimin e këtyre zonave, me qëllim për ta jetësuar programin e tij të quajtur “Kthimi i Madh”, përmes të cilit synon t’i rikthejë azerbajxhanasit që ishin larguar gjatë Luftës së Parë të Karabakut, të viteve 1988-1994.
Programi “Kthimi i Madh” synonte të mundësonte kthimin e 140.000 personave të zhvendosur brenda vendit në territoret e rimarra deri në fund të vitit 2026. Por, me afrimin e këtij afati, autoritetet në Baku thonë se deri më tani janë kthyer vetëm 41.000 persona.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë shifër, pasi gazetarët e huaj ende përballen me vështirësi për të hyrë dhe raportuar në mënyrë të pavarur nga këto zona.
Farid Guliyev ka intervistuar disa azerbajxhanas që u zhvendosën gjatë Luftës së Parë të Karabakut. Profesori i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Dubait thotë se synimi i Bakusë për të rikthyer 140.000 persona të zhvendosur brenda vendit në territoret e rimarra deri në fund të këtij viti, ka qenë, mbase, tepër ambicioz.
Sipas tij, kjo për shkak të vështirësive që vazhdojnë të jenë të pranishme, si minat në këto zona, por edhe faktorëve të shumtë shoqërorë.
“Qëllimet e [Azerbajxhanit] nuk pasqyrojnë plotësisht ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën e të zhvendosurve gjatë tri dekadave të fundit”, tha Guliyev për Radion Evropa e Lirë.
“Shumë prej tyre, veçanërisht të rinjtë, tashmë janë integruar në jetën urbane në Baku dhe qytete të tjera dhe mund të ngurrojnë të zhvendosen sërish”, shtoi ai.
Aytaj Amirjanli, një person i zhvendosur, e cila së fundmi është kthyer në Nagorno-Karabak, i tha Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë në shtator se shumë prej atyre që janë kthyer po largohen sërish, pasi nuk po arrijnë të gjejnë punë.
“Refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit janë të gjithë të papunë. Shumica tashmë i kanë mbyllur shtëpitë dhe janë kthyer në Baku”, tha ajo.
“Nëse nuk mund ta siguroj bukën e gojës atje, çfarë duhet të bëj?”, shtoi Amirjanli.
Një tjetër arsye për hezitimin e personave të zhvendosur, sipas Guliyevit, mund të jetë frika se do të humbasin ndihmat financiare dhe përfitimet e tjera që u ndan shteti, përfshirë kompensimin mujor për ushqim, prej rreth 35 dollarësh për person.
“Kthimi mund të nënkuptojë humbjen e disa prej këtyre përfitimeve, ndërkohë që mundësitë për punësim në territoret e rimarra mbeten të pasigurta”, tha ai.
Pothuajse e gjithë popullsia etnike armene e Nagorno-Karabakut u largua drejt Armenisë në shtator 2023, pasi Bakuja nisi ofensivën ushtarake që e vuri rajonin e shkëputur nën kontrollin e Azerbajxhanit. Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por deri në vitin 2023 aty jetonin rreth 100.000 armenë etnikë.
Përveç projekteve masive të ndërtimit në territoret e rimarra, që sipas Azerbajxhanit përfshijnë ndërtimin e 1.500 kilometrave rrugë të reja dhe çminimin e rreth 22 për qind të këtyre territoreve, autoritetet në Baku kanë nxitur reagime të ashpra edhe për shkak të shkatërrimit të kishave historike, të një katedraleje në Khankendi dhe të fshatrave të tëra.
Një nga rastet më të njohura është ai i Dasaltit, një vendbanim që u rrafshua plotësisht në fillim të vitit 2023. Sot, në vendin ku dikur ndodhej fshati, që në gjuhën armene njihej si Karintak, qëndron një xhami.
Pas raportimeve për shkatërrimin e Katedrales së Shën Marisë në Khankendi, në fillim të vitit 2026, Elnara Akimova, deputete e Parlamentit të Azerbajxhanit, i tha Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë se Bakuja “i mbron monumentet fetare dhe historike në territorin e tij si pjesë të politikës shtetërore dhe nuk ka pasur kurrë synim të shkatërrojë trashëgiminë fetare”.