Ndërlidhjet

Imran Khan i fiton zgjedhjet në Pakistan


Imran Khan

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve kombëtare në Pakistan e nxjerrin fitues udhëheqësin e opozitës, Imran Khan.

Partia e tij, Tehrik-e Insaf, fitoi 109 nga 269 ulëset e Asamblesë Kombëtare, të cilat, megjithatë, nuk i mjaftojnë për të kontrolluar shumicën parlamentare. Asaj do t’i duhen aleatë në legjislaturë për të formuar qeverinë e koalicionit.

Po sipas rezultateve zyrtare, Liga Myslimane e Pakistanit, partia e kryeminstrit të burgosur, Nawaz Sharif, doli e dyta, me 63 ulëse, ndërsa Partia Popullore e Pakistanit e treta, me 39 ulëse.

Khan e shpalli fitoren qysh të enjten, edhe pse partitë rivale e akuzuan për manipulim me vota.

"Faleminderit Zotit, ne kemi fituar dhe kemi qenë të suksesshëm. Me dëshirën e Zotit, do të japim shembull", tha Khan në një fjalim televiziv.

Khan, 65 vjeç, i shkolluar në Universitetin e Oxfordit, e ka çuar Pakistanin në fitore të Kupës Botërore në Kriket, në vitin 1992. Ai ka hyrë në politikë më 1996.

Khan ka qenë kritik i fuqishëm i ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në rajon dhe i orientimit ekonomik të Pakistanit kah Kina.

Ai e identifikon veten si njeri të popullit dhe ka premtuar se do të krijojë një “shtet të mirëqenies” dhe se do t’iu japë fund dekadave të korrupsionit.

“Sfida ime më e madhe do të jetë punësimi i të rinjve. Kjo është sfida më e madhe. Kemi bërë një plan fantastik për ju; jo një, por disa. Me dëshirën e Zotit, do të sjellim përparim ekonomik në këtë vend”, ka thënë Khan para zgjedhjeve.

Video: Në ditën e zgjedhjeve në Pakistan u shënua edhe një sulm i madh vetëvrasës në qytetin Kueta.

Pakistan: Sulm afër një qendre të votimit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Khan është akuzuar shpesh nga kritikët për afërisnë e tij me establishmentin ushtarak dhe nganjëherë për qëndrim të butë ndaj militantëve talibanë.

Në zgjedhjet e 25 korrikut, gati 106 milionë qytetarë kanë pasur të drejtë vote për Asamblenë Kombëtare dhe për asambletë në provincat Khiber Paktunkva, Punxhab, Sind dhe Baluçistan.

Kryekomisionari i Zgjedhjeve, Sardar Mohammad Raza, tha se "zgjedhjet kanë qenë 100% transparente dhe të drejta".

Pakistani ka një popullsi prej afro 200 milionë banorësh, është fuqi bërthamore, ekonomi kyçe në zhvillim dhe një nga vendet më të mëdha me shumicë myslimane në botë.

Pakistani është qeverisur disa herë nga ushtria gjatë historisë së tij 71-vjeçare, kështu që këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi konsiderohen si tranzicioni i dytë demokratik i këtij vendi.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG