Ndërlidhjet

Ish-kryeministri pakistanez kërcënon me mosbindje civile


Protestë e mbështetësve të Imran Khanit në Islamabad në nëntor të vitit 2024.
Protestë e mbështetësve të Imran Khanit në Islamabad në nëntor të vitit 2024.

Ish-kryeministri i burgosur i Pakistanit, Imran Khan, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mbajnë një tubim javën e ardhshme dhe ka kërcënuar se do të nisë një lëvizje të mosbindjes civile, disa ditë pasi partia e tij udhëhoqi një marsh vdekjeprurës protestues në Islamabad.

Në një postim në X, Khan u kërkoi mbështetësve të tij që të mblidhen më 13 dhjetor në qytetin veriperëndimor të Peshavarit, kryeqytetit të provincës Kiber Pakhtunkva, që udhëhiqet nga partia e tij, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI).

Ai kërkoi që të kryhet një hetim për shtypjen e marshit protestues të 25 nëntorit, kur u vranë të paktën 12 mbështetës të tij dhe për dhunën e 9 majit të vitit të kaluar, kur u vranë tetë persona. Ai po ashtu kërkoi lirimin e të gjithë të arrestuarve, që ai i cilësoi si të arrestuar politikë.

“Nëse këto dy kërkesa nuk plotësohen, një lëvizje e mosbindjes civile do të nisë nga 14 dhjetori dhe Qeveria do të mbahet përgjegjëse për çdo pasojë”, tha Khan.

Qeveria pakistaneze mohon se gjatë protestës së 25 nëntorit kanë vdekur mbështetës të Khanit dhe thotë se ata kanë sulmuar instilacionet ushtarake më 9 maj të vitit të kaluar.

Autoritetet kanë raportuar se disa anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë gjatë protestave në nëntor.

Një ditë më herët, ndaj Khanit është ngritur akuzë për udhëheqjen e sulmeve të 9 majit. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza është një prej dhjetëra rasteve të ngritura ndaj ish-kryeministrit 72-vjeçar, i cili gjendet në burg që nga viti i kaluar.

Ai dhe partia e tij thonë se rastet penale janë të stisura, me qëllim që ta mbajnë Khanin jashtë politikës me urdhër të ushtrisë, pasi ai prishi raportet me gjeneralët e ushtrisë para se të rrëzohej nga pushteti më 2022.

Ushtria e Pakistanit ka mohuar këto akuza.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG