Ndërlidhjet

Indonezia konfirmon vdekjen e 53 marinarëve


Fotografi e nëndetëses së Marinës së Indonezisë e cila është fundosur.

Të 53 anëtarët e ekuipazhit të nëndetëses së marinës indoneziane, që u fundos në bregdetin e Balit të enjten, është konfirmuar se kanë vdekur.

Kreu i ushtrisë së Indonezisë, Hadi Tjahjanto tha se nuk ka asnjë shans që ndonjëri prej anëtarëve të ekuipazhit të gjendet i gjallë.

“Me pikëllim të thellë, mund të ju them se 53 pjesëtarët në bord kanë vdekur”, tha ai.

Zyrtarët thanë se nëndetësja ishte ndarë në tri pjesë dhe ato janë gjetur në shtratin e detit. Zyrtarët e marinës thanë të dielën se kanë pranuar sinjale se nëndetësja gjendet më shumë se 800 metra thellë në det.

Një mjet për shpëtim është lëshuar në det për të marrë konfirmim vizual për mbetjet e nëndetëses.

Nëndetësja KRI Nanggala u zhduk pasi kishte marrë leje që të zhytej për të bërë një stërvitje. Arsyeja e fundosjes së nëndetëses nuk është ende e qartë.

Njoftimi se nëndetësja është ndarë në tre pjesë vjen pasi një ditë më parë, ushtria indoneziane konfirmoi se ka gjetur pjesë të kësaj nëndetëseje, në afërsi të vendit ku ishte zhdukur.

Nëndetësja, e prodhuar në Gjermani, ishte më shumë se 40 vjet e vjetër, por më 2012 ishte riparuar.

Pas zhdukjes së nëndetëses u organizuan operacione ndërkombëtare të kërkimit ku Shtetet e Bashkuara, Australia, Singapori, Malajzia dhe India ofruan ndihmën e tyre.

XS
SM
MD
LG