Ndërlidhjet

Twitter pezullon kongresisten për postimet rreth koronavirusit


Kongresistja amerikane, Marjorie Taylor Greene.
Kongresistja amerikane, Marjorie Taylor Greene.

Rrjeti social Twitter pezulloi përkohësisht llogarinë e ligjvënëses amerikane, Marjorie Taylor Greene, për shkak të publikimit të informacioneve “çorientuese” për koronavirusin.

Twitter tha se llogaria e saj, për 12 orë, do të mund vetëm të lexohet.

Greene, kongresiste republikane, është kritike e zëshme e vaksinave kundër koronavirusit dhe përdorimit të maskave.

Muajin e kaluar, ajo ka kërkuar falje për krahasimin e rregullave të maskës me trajtimin e hebrenjve në Gjermaninë naziste.

Në dy postime të hënën, ajo tha se vaksinat nuk duhet të kërkohen dhe se koronavirusi nuk është i rrezikshëm për njerëzit e moshave nën 65 vjeç, që nuk janë obezë.

Të dyja postimet mund të shihen ende, por Twitter i etiketoi ato si “çorientuese”.

Në përgjigje të pezullimit, Greene tha se kompanitë e mediave sociale po sulmojnë fjalën e lirë, me mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje firmave të mediave sociale që të ndërmarrin më shumë veprime kundër përhapjes së informacioneve të rreme rreth koronavirusit dhe vaksinave.

“Ato [informacionet e rreme] po vrasin njerëz. E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve”, u tha Biden gazetarëve.

XS
SM
MD
LG