Ndërlidhjet

NYT: SHBA thotë se inteligjenca sugjeron se një grup pro-ukrainas sabotoi gazsjellësin


Rrjedhjet e gazit në Baltik pas sulmit në gazsjellësin Rrjedha Veriore. 27 shtator 2022.
Rrjedhjet e gazit në Baltik pas sulmit në gazsjellësin Rrjedha Veriore. 27 shtator 2022.

Inteligjenca e re që është analizuar nga zyrtarët amerikanë sugjeron se një grup pro-ukrainas, që me gjasë përbëhet nga shtetas ukrainas ose rus, ka kryer sulmin ndaj gazsjellësit Rrjedha Veriore vitin e kaluar. Por, inteligjenca amerikane nuk ka arritur në një përfundim të qartë, raportoi New York Times (NYT) më 7 mars.

Nuk ka dëshmi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, apo ushtarakët më të lartë ukrainas kanë qenë të përfshirë apo nëse keqbërësit kanë vepruar nën direktivat e ndonjë zyrtari qeveritar ukrainas, raportoi gazeta, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Zyrtarët amerikanë nuk janë përgjigjur menjëherë në interesimin e mediave për të konfirmuar apo mohuar këto raportime. Përfaqësuesit në Kiev dhe Moskë po ashtu nuk kanë komentuar për këtë rast.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i quajtën sulmet e shtatorit të vitit 2022 ndaj gazsjellësit nën Detin Baltik, “akt të sabotimit”, përderisa Moska fajësoi Perëndimin. Asnjëra palë nuk ofroi dëshmi për akuzat e tyre.

I ndërtuar nga kompania e kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, gazsjellësi Rrjedha Veriore lidh Rusinë me Gjermaninë. As Gazprom nuk ka komentuar lidhur me raportimet e gazetës amerikane.

Rishikimi i inteligjencës sugjeroi se ata që kryen sulmet kundërshtojnë presidentin rus, Vladimir Putin, “por nuk specifikohen anëtarët e grupit, apo se kush i ka urdhëruar apo paguar për operacionin”, shkroi New York Times.

“Zyrtarët amerikanë refuzuan të tregonin natyrën e inteligjencës apo se si e morën atë, detajet dhe fuqinë e provave që kishte. Ata thanë se nuk ka pasur përfundime të fuqishme për këtë çështje”, citohet të kenë thënë zyrtarët e paidentifikuar.

“Zyrtarët që kanë rishikuar inteligjencën thanë se besojnë që sabotatorët kishte të ngjarë të ishin shtetas ukrainas apo rus, apo nga të dy shtetet. Zyrtarët amerikanë thanë se asnjë amerikanë apo britanikë nuk ka qenë i përfshirë”, raportoi gazeta amerikane.

Shtetet evropiane nëpër të cilat kalon gazsjellësi janë duke e hetuar këtë ngjarje dhe Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se nuk është pjesë e hetimeve për këtë rast.

Rusia muajin e kaluar kërkoi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të kryejë një hetim të pavarur.

Që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës një vit më parë, Evropa ka reduktuar në mënyrë drastike importet e energjisë nga Rusia.

XS
SM
MD
LG