Ndërlidhjet

IPK: Do t’i hetojmë pretendimet lidhur me sjelljen e zyrtarëve policorë gjatë shënimit të Vidovdanit

Zyrtarët policorë gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor 2026.
Zyrtarët policorë gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor 2026.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) tha se do t’i hetojë pretendimet se zyrtarët policorë i kanë keqtrajtuar psikologjikisht dhe fizikisht personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), IPK tha se nuk ka pranuar asnjë ankesë, por se hetimi do të nisë sipas detyrës zyrtare.

Policia e Kosovës, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, ndaloi 37 persona, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë për 36 prej tyre i ka akuzuar për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”. Vendimi për ta pritet të shpallet më 1 korrik. Ndërkaq, një personi tjetër i është shqiptuar gjobë.

Avokati Nikolla Todoroviq deklaroi se të akuzuarit janë kryesisht serbë nga Serbia dhe vendet e rajonit, duke shtuar se dokumentet e tyre personale janë konfiskuar deri në shpalljen e vendimit.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan, afër Prishtinës, për të përkujtuar betejën kundër Perandorisë Osmane më 1389.

Ndërkohë, në opinion u shfaqën pretendime se personat e ndaluar janë ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilët, sipas këtyre pretendimeve, i kanë goditur me shuplaka, i kanë rrahur, fyer dhe poshtëruar, si dhe i kanë detyruar të brohorasin “Kosova Republikë”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka nisur hetim, sipas detyrës zyrtare, lidhur me ndalimin e disa dhjetëra personave në Gazimestan dhe u ka kërkuar informacione institucioneve kompetente për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

Po ashtu, Avokati i Popullit i Serbisë, Zoran Pashaliq, i është drejtuar Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, me kërkesë që, në kuadër të kompetencave të tij, të hetojë urgjentisht të gjitha rrethanat e ndalimit të një numri më të madh qytetarësh të përkatësisë etnike serbe pas shënimit të Vidovdanit në Gazimestan.

“Avokati i Popullit ka kërkuar nga zoti Qelaj që të përcaktojë nëse gjatë privimit nga liria, ndalimit dhe fillimit të procedurave për kundërvajtje janë respektuar standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën për liri dhe siguri, të drejtën për t’u informuar për arsyet e privimit nga liria, të drejtën për qasje te mbrojtësi, të drejtën për një gjykim të drejtë, si dhe ndalimin e diskriminimit mbi çfarëdo baze”, thuhet në njoftim.

Aty po ashtu thuhet se Avokati i Popullit i Serbisë, lidhur me këtë rast, u është drejtuar edhe institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel, ambasadave të vendeve të Quint-it, si dhe Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Prishtinë.

Ndërkohë, për këtë rast reagoi edhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe, duke theksuar se pretendimet për keqtrajtim psikologjik dhe fizik të personave të ndaluar duhet të hetohen.

“I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit, Inspektoratit Policor, organeve kompetente gjyqësore dhe prokuroriale, si dhe misioneve ndërkombëtare, veçanërisht OSBE-së dhe EULEX-it [Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë], që, në përputhje me mandatet e tyre, të sigurojnë një verifikim të plotë, të pavarur dhe profesional të të gjitha rrethanave”, thuhet në njoftimin e Dioqezës.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën i dënoi ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke i cilësuar ato si “akt të turpshëm dhe të papranueshëm të represionit”.

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Milosheviq, mbajti në atë vend në vitin 1989. Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

XS
SM
MD
LG