Ndërlidhjet

Investimet e fundit sjellin përmirësim në shëndetësi


QKUK, pamje nga Klinika e Kardilogjisë. Foto nga arkivi
QKUK, pamje nga Klinika e Kardilogjisë. Foto nga arkivi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, vetëm këtë vit, kanë shpenzuar 3.5 milionë euro për pajisje të reja mjekësore.

Para se të bëhej ky investim shumë intervenime kirurgjike nuk kanë mundur të kryhen brenda spitaleve publike.

Albatrit Matoshi, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë i tha Radios Evropa e Lirë se së fundmi janë ri-funksionalizuar shumë shërbime të cilat kanë munguar qe disa vite.

“Kjo është faza e parë e investimeve, derisa ne do të vazhdojmë me shtimin e ofrimit të shërbimeve, përmes investimeve që do t’i bëjmë në sektorin publik shëndetësor. Më pas janë edhe klinikat, si ajo e Emergjencës që do të përurohet së shpejti. Pastaj, përmes donacioneve po ndërtohet edhe Kirurgjia e Pediatrisë, e disa klinika të tjera. Me këto po synohet që të përmirësohet ndjeshëm sektori i shëndetësisë”, tha Matoshi.

Investimi më i madh këtë vit është fillimi i ndërtimit të Spitalit të Pediatrisë, që është donacion nga Emiratet e Bashkuara me vlerë prej 22 milionë euro.

Mungesa e investimeve në spitale, siç janë mungesa e pajisjeve, mungesa e barnave, meremetimi i klinikave dhe ndërtimi i klinikave të reja, ka bërë pacientët të marrin shërbime jocilësore.

Mjekët thonë se me donacione, por edhe investime nga vetë shteti kohët e fundit, kanë bërë që të vërehet një përmirësim i gjendjes jo të mirë që ka pasur ky sektor.

Myrvete Paqarada, drejtoreshë e Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se shumë mjete të munguara prej vitesh janë sjellë gjatë këtij viti në këtë klinikë, për t’ua lehtësuar punën, si stafit mjekësor, po ashtu edhe pacientëve, të cilët shërbime të shumta kanë marrë në klinika private.

“Këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë kemi marr aparaturë, e që shumë nga to më herët nuk i kemi pasur në klinikë. Këto e kanë ngritur cilësinë e shërbimeve, dhe gjithashtu ato mjete që kryhen operacione me to, e shkurton kohën e qëndrimit në klinikë të pacientëve, meqë janë moderne. Gjithashtu kemi pranuar aparaturë që nuk ka nevojë më operacionet të bëhen në mënyrë klasike, pra të prehen, por ato janë ultra-sonike dhe puna kryhet më lehtë. Po presim edhe shtretër të shumtë, e që mund të them se këtë vit kemi marrë shumë nga Ministria e Shëndetësisë, e që shumë gjatë kohë një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha Paqarada.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë gjithashtu ka potencuar faktin se investimet e bëra kohët e fundit e kanë përmirësuar dukshëm gjendjen në sektorin publik. Por, ai thotë se kjo praktikë nuk duhet ndalet, meqë sektori i shëndetësisë ka nevojë për investime të vazhdueshme.

“Investimet e fundit që janë bërë është një fillim i mirë, por që ka ende nevojë. Shumë shërbime që nuk janë kryer jo nga mosdija apo mosvullneti, por nga mungesa e mjeteve, tash po kryhen. Vullneti i mjekëve nuk mungon për punë. Edhe pacientët duhet të kthejnë besimin tek institucionet publike shëndetësore dhe të mos shpenzojnë të holla të majme në ordinanca private, për shërbime që kryhen në ato publike”, tha tutje Paqarada.

Përpos mungesës së aparaturës së nevojshme, ky sektor vuan edhe nga mungesa e barnave të listës esenciale që nga lufta e fundit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG