Ndërlidhjet

Garda Revolucionare e Iranit sinjalizon për ndryshim të mundshëm të doktrinës bërthamore

Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Mohebbi, gjatë një konference për media në Teheran.
Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Mohebbi, gjatë një konference për media në Teheran.

Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjeneral brigadieri Hossein Mohebbi, tha se Irani do të vazhdojë të rrisë rrezen e veprimit të raketave të saj, duke paralajmëruar se procesi nuk do të ndryshojë, teksa sinjalizoi për ndryshim të mundshëm të doktrinës bërthamore.

Duke folur në një konferencë për media më 7 nëntor, Mohebbi iu referua udhëzimit të udhëheqësit suprem iranian, Mojtaba Khamenei, për t’u përballur me kundërshtarët pa kufizime gjeografike, duke deklaruar se Irani po i përmirëson vazhdimisht kapacitetet e tij raketore.

Duke iu përgjigjur thirrjeve për rishikimin e doktrinës bërthamore të Iranit, ai tha se nëse udhëheqja e vendit e vlerëson të nevojshëm një ndryshim të tillë, Irani do të përgatitet t’u përgjigjet kërcënimeve nga vendet armiqësore perëndimore.

Megjithatë, zyrtarisht autoritetet nuk kanë shpallur plane për ndryshimin e doktrinës bërthamore të Iranit.

Ditë më parë, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, tha se nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për rishikimin e qëndrimit bërthamor të vendit.

Sipas raportimeve të mediave iraniane, Mohebbi njoftoi po ashtu se Forcat Ajrore të IRGC-së i kishin zhvendosur linjat e prodhimit të raketave dhe dronëve në objekte nëntokësore, duke krijuar ato që ai e përshkroi si “qytete të prodhimit të raketave”.

Ai tha se ekspertiza vendore, shtrirja gjeografike e Iranit dhe infrastruktura fleksibile e prodhimit do të mundësojnë vazhdimin e prodhimit të armëve, pavarësisht bombardimeve të rënda.

Më 6 nëntor, në bazë të analizimit të imazheve satelitore të kryera nga BBC Verify, u dokumentuan punime të vazhdueshme të ndërtimit dhe rindërtimit në disa objekte ushtarake iraniane, përfshirë edhe ato që lidhen me programin raketor të vendit. Kjo tregon përpjekjet e vazhdueshme për të rikthyer në funksion infrastrukturën ushtarake të dëmtuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën ndaj Iranit në fund të shkurtit. Sulmet kanë pasur në shënjestër programin raketor dhe bërthamor të Iranit.

SHBA-ja ka njoftuar se ofron 20 milionë dollarë shpërblim në këmbim të informacioneve për programin bërthamor të Iranit – që Teherani insiston se është për qëllime civile – teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se synimi kryesor i luftës është që Iranit t’i pamundësohet të posedojë armë bërthamore.

​
XS
SM
MD
LG