Ndërlidhjet

Vdiq ish-presidenti i Iranit, Abolhassan Banisadr  


Abolhassan Banisadr, presidenti i parë i Iranit pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Abolhassan Banisadr, presidenti i parë i Iranit pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Ka vdekur në moshën 88-vjeçare, Abolhassan Banisadr, presidenti i parë i Iranit pas revolucionit të vitit 1979. Ai më pas ishte larguar nga vendi dhe ishte shndërruar në kundërshtar të qeverisë teokratike iraniane.

Në një deklaratë e lëshuar nga familja thuhet se Banisadr vdiq më 9 tetor në një spital në Paris dhe prej një kohe po vuante nga sëmundje, por nuk janë dhënë më shumë detaje.

Banisadr ishte president i Iranit gjatë krizës 444-ditore kur 52 amerikanë ishin mbajtur peng nga studentët radikalë. Ai po ashtu ishte presidenti i parë që u largua nga parlamenti, pas 16 muajsh në detyrë.

Banisadr u lind në Hamadan më 22 mars, 1933 dhe ka studiuar për financa në Paris pas Luftës së Dytë Botërore. Babai i tij ishte klerik i afërt me Ayatollah Khomeini, i cili më vonë udhëhoqi Revolucionin Islamik që largoi nga pushteti monarkinë e Iranit.

Banisadr raportohet se për herë të parë e ka takuar Khomeinin në funeralin e babit të tij më 1972.

Ai kishte qenë pjesë aktive e lëvizjeve në ilegalitet të studentëve, që kundërshtonin qeverinë e Shah Mohammad Reza Pahlavi dhe ishte arrestuar dy herë. Në kohën sa jetonte në Francë, ai ishte bashkuar lëvizjeve fetare të inspiruara nga Khomeini dhe më 1979 u kthye në Iran së bashku me Khomeinin një muaji pasi Pahlavi ishte larguar nga shteti.

Ai ka mbajtur postin e ministrit të Financave dhe atë të Jashtëm në qeverinë teokratike para se të zgjidhej president në shkurt të vitit 1980. Një vit më vonë, ai kishte mosmarrëveshje me Khomeinin, i cili, si lider suprem, kishte autoritet absolut në Iran.

Parlamenti i Iranit e rrëzoi nga pushteti Banisadrin më 21 qershor 1981. Ai u largua në Francë ku bashkëthemeloi Këshillin Kombëtar për Rezistencë të Iranit dhe u bë kundërshtar i zëshëm i Qeverisë iraniane, duke e akuzuar Khomeinin dhe pasardhësit e tij se janë përgjegjës për dhunën në Lindjen e Mesme.

Ai kishte dënuar shtypjen e protestave pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, që u fituan nga Mahmud Ahmadinejad.

Gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2019, në 40-vjetorin e Revolucionit iranian, Banisadr kritikoi gjerësisht regjimin e Iranit dhe për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve

“Jo vetëm që zgjedhjet në Iran nuk janë të lira, por ato gjithashtu poshtërojnë votuesit, sepse nuk ka liri për të garuar e as për të votuar”, kishte deklaruar ai.

Ai po ashtu kishte thënë se kolapsimi i regjimit iranian “është i pashmangshëm”.

XS
SM
MD
LG