Ndërlidhjet

Iranianët sfidojnë shtypjen e protestave nga autoritetet


Portreti i Mahsa Aminit.
Portreti i Mahsa Aminit.

Shumë iranianë kanë vizituar varrin e Mahsa Amini për të shënuar 40 ditë qëkur ajo vdiq, mes paralajmërimeve të autoriteteve se do të vazhdojnë t'i shtypin protestat mbarëkombëtare, që shpërthyen pas vdekjes të Aminit.

Amini, 22 vjeçe, vdiq më 16 shtator, teksa ishte në mbajtje policore, nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Vdekja e saj, që autoritetet thonë se u shkaktua për shkak të problemeve me zemër, ka nxitur një valë protestash anti-qeveritare në mbarë vendin, që po shtypen nga autoritetet.

Sipas grupit për të drejtat e njeriut, Iran Human Rights, të pakën 215 persona, përfshirë 27 fëmijë, janë vrarë gjatë shtypjes së protestave.

Gratë e reja dhe nxënëset janë në ballë të protestave dhe këto demonstrata po konsiderohen si sfida më e madhe për autoritetet në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Më 26 tetor, dhjetëra burra dhe gra u mblodhën në varrezat në Aiçi në Sakez, vendlindjen e Aminit, pavarësisht kërcënimeve nga autoritetet e sigurisë drejtuar familjes së Aminit. Autoritetet kërcënuan familjen se “duhet të brengoseni për jetën e djalit tuaj”, thanë aktivistët.

Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, burrat dhe gratë dëgjohen duke brohoritur “Grua, jetë, liri” dhe “Vdekje diktatorit”, një referencë për liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Sipas traditave në Iran, 40 ditë pas vdekjes së Aminit, shënohet edhe fundi i periudhës së vajtimit.

XS
SM
MD
LG