Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar 10 zyrtarë iranianë, përfshirë ata që mbikëqyrin burgun Evin të Teheranit, për censurë në internet dhe shtypje të protestave, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila ka vdekur sa ka qenë në mbajtje.
Policia e Moralit e ka ndaluar atë nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.
Sanksionet, përfshirë bllokada financiare dhe ndëshkime tjera, janë vendosur nga Departamenti amerikan i Thesarit, dhe shënjestrojnë zyrtarë të lartë iranianë dhe anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Në mesin e tyre janë zyrtarë të burgut Evin, ku gjenden të burgosurit politikë, dhe ku Uashingtoni beson se janë dërguar shumica e protestuesve.
Iran: Brenda burgut famëkeq Evin
Irani është tronditur nga protesta mbarëkombëtare, pas vdekjes së Mahsa Aminit në shtator. Ajo ka rënë në komë disa orë pasi është arrestuar nga policia e moralit më 13 shtator, në Teheran, nën akuzat se ka shkelur rregullat e hixhabit, apo të shamisë së kokës dhe vdiq në spital tri ditë më vonë.
Të paktën tetë persona thuhet se vdiqën gjatë dhunës në objekt. Është e paqartë nëse zjarri i burgut lidhet me trazirat e shkaktuara nga vdekja e Aminit.
Një gazetari të Radios Evropa e Lirë iu tha se një trazirë filloi në një repart të burgut ku mbahen të burgosurit politikë. Qindra njerëz të arrestuar për pjesëmarrje në protestat anti-qeveritare ishin dërguar në burg përpara se të shpërthente zjarri.
Kjo foto dhe shumica e të tjerave në këtë fotogaleri janë publikuar nga agjencia e lajmeve, Mizan, e cila është në linjë me politikat e Iranit.
Imazhet brenda burgut janë të rralla dhe fotografimi është i ndaluar në zonën përreth. Në vitin 2003 fotoreporterja Zahra Kazemi u arrestua pasi po fotografonte para burgut. Ajo vdiq më vonë në paraburgim.
Guvernatori i Teheranit, Mohsen Mansuri, tha se zjarri ishte shkaktuar nga "një përleshje mes disa të burgosurve". Ky pretendim u kundërshtua gjerësisht në mediat sociale iraniane, por mes kufizimeve në internet, shumë detaje rreth dhunës vdekjeprurëse mbeten të paqarta.
Sanksionet e reja vijnë 40 ditë pas vdekjes së Aminit, dhe janë pjesë e masave të vendosura kundër Teheranit, për shkak të shtypjes së protestave dhe kufizimit të qasjes në internet.
“Dyzet ditë pas vdekjes tragjike të Mahsa Aminit, iranianët vazhdojnë të protestojnë me trimëri përballë shtypjes brutale dhe bllokimit të qasjes në internet”, ka thënë Brian Nelson, nënsekretar për Terrorizëm dhe Inteligjencë financiare në Departamentin e Thesarit.
Ai ka thënë se sanksionet janë pjesë e “përkushtimit tonë për të mbajtur përgjegjëse të gjitha nivelet e Qeverisë iraniane për këtë shtypje”.
Video nga arkivi: Hixhabi tund themelet e Republikës Islamike
Familja e Aminit ka thënë se e bija është goditur derisa ka qenë në mbajtje.
Qeveria, në anën tjetër, ka thënë se ajo ka pësuar “dështim të organeve”.
Grupi i Iranit për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Oslo, ka thënë se si pasojë e shtypjes së protestave, janë vrarë 215 persona, përfshirë 27 fëmijë.
Liderët iranianë kanë akuzuar Shtetet të Bashkuara dhe shtetet tjera perëndimore për nxitje të atyre që i konsiderojnë “trazira”.