Ndërlidhjet

Irani akuzon 11 persona për vrasjen e një paramilitari


Tubim në Gjermani në mbështetje të protestave në Iran pas vdekjes së Mahsa Aminit. Berlin, 22 tetor 2022.

Një zyrtar i gjyqësorit në Iran tha se 11 persona, përfshirë një grua, janë akuzuar për vrasjen e një anëtari të forcave paramilitare Basij, gjatë një ceremonie javën e kaluar.

Incidenti ndodhi më 3 nëntor në Karaxh, kryeqytetin e provincës Alborz, kur qytetarët po nderonin Hadis Najafin, duke u mbledhur pranë varrit së tij për të shënuar 40 ditë nga vrasja e tij gjatë protestave mbarëkombëtare që u nxitën nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit.

Shefi i gjyqësorit në Alborz, Fazeli Harikandi, e identifikoi anëtarin e grupit Basij si Ruhollah Ajamian dhe tha se ai u vra nga “protestuesit”.

“Protestuesit e sulmuan këtë oficer të sigurisë, i cili ishte i paarmatosur. E zhveshën dhe e goditën me thika, e rrahën, e goditën me gurë, e goditën me shkelma, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë në një mënyrë të tmerrshme”, tha Harikandi.

Ngritja e aktakuzave erdhi pas nisjes së hetimit për këtë ngjarje. Sipas agjencisë së lajmeve Mizan, në rrjetet sociale u postuan imazhe që tregonin “një grup protestuesish duke e sulmuar dhe vrarë” Ajaminin.

Harikandi tha se të akuzuarit përballen me akuza që dënohen me vdekje.

Të 11 të arrestuarit po ashtu akuzohen për prishjen e rendit publik që çoi në vrasje, tubim me qëllim të kryerjes së krimeve kundër sigurisë së shtetit dhe propagandë kundër shtetit, tha ky zyrtar i gjyqësorit.

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator, pasi u arrestua në Teheran nga policia e moralit, nën akuza se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Që nga vdekja e saj, iranianët kanë organizuar protesta në mbarë vendin, protesta që po shihen si kërcënimi më i madh për qeverinë islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

*Video: Protestat në Iran kundër regjimit të mullave

Qeveria iraniane ka akuzuar qeveritë perëndimore për trazirat dhe ka shtypur protestat.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë thënë se nga shtypja e protestave janë vrarë mbi 300 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur. Disa pjesëtarë të forcave të sigurisë po ashtu raportohet se janë vrarë.

Mijëra persona janë arrestuar, përfshirë gazetarë, avokatë, aktivistë dhe të tjerë.

Më 12 nëntor, ekspertët për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje autoriteteve iraniane që të mos ngrenë akuza që parashohin dënime me vdekje, për pjesëmarrje apo dyshim për pjesëmarrje në protestat paqësore.

XS
SM
MD
LG