Gjykata Supreme e Iranit e ka lënë në fuqi dënimin me vdekje për të burgosurën politike, Arghavan Fallahi, duke ngritur sërish shqetësime lidhur me përdorimin e dënimit kapital ndaj të burgosurve politikë, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA).
Fallahi, 24 vjeçe, u dënua me vdekje në korrik nga Dega 15 e Gjykatës Revolucionare të Teheranit, e drejtuar nga gjyqtari Abolqasem Salavati, nën akuzën për “baghi”, ose rebelim të armatosur, sipas HRANA-s.
Të martën, Gjykata Supreme e vërtetoi këtë dënim.
Fallahi ishte arrestuar në fillim të vitit 2025, kur forcat iraniane të sigurisë e morën dhe e dërguan në Repartin 209 të burgut Evin, sipas HRANA-s. Ajo më pas u mbajt në Repartet 209 dhe 241, të dyja të lidhura me aparatin e sigurisë dhe inteligjencës së Iranit.
Sipas një burimi të informuar të cituar nga HRANA, ndaj Fallahit janë bërë përpjekje për ta detyruar të pranonte përfshirjen në vrasjen e dy gjyqtarëve të lartë iranianë, Mohammad Moghiseh dhe Ali Razini, në janar 2025.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë raportuar gjithashtu se autoritetet iraniane e kanë akuzuar Fallahin për lidhje me Muxhahedinët e Popullit të Iranit (Mojahedin-e Khalq). Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Fallahi ishte arrestuar edhe më parë gjatë protestave mbarëkombëtare që pasuan vdekjen në paraburgim të Mahsa Aminit në shtator 2022. Ajo më vonë u dënua me burgim, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.
Dënimi i saj me vdekje tash mund të ekzekutohet, përveç nëse ajo përfiton prej shtyrjes së ekzekutimit nga gjykata ose nga ndonjë formë tjetër ndërhyrjeje.
Akuza për “baghi” përcaktohet në ligjin iranian si kryengritje e armatosur kundër Republikës Islamike dhe mund të bartë dënim me vdekje. Gjykatat iraniane kanë përdorur gjithnjë e më shumë akuza që lidhen me sigurinë kombëtare, përfshirë “baghi”-n, kundër aktivistëve politikë dhe personave të akuzuar për përfshirje në protesta kundër Qeverisë.
Konfirmimi i dënimit të Fallahit vjen në një kohë kur organizatat për të drejtat e njeriut po shprehin shqetësim në rritje për ekzekutimet në Iran, pas protestave mbarëkombëtare të dhjetorit dhe janarit.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar dënime me vdekje ndaj protestuesve dhe të burgosurve politikë, ndërsa paralajmërojnë se personat tashmë të dënuar me vdekje përballen me rrezik të menjëhershëm për ekzekutim.
Sipas të dhënave të fundit, 483 persona janë ekzekutuar nga autoritetet iraniane gjatë këtij viti dhe shumica e dënimeve me vdekje ishin të lidhura me protestat e janarit, kur mijëra persona u vranë nga forcat e sigurisë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan.
Që nga nisja e luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 28 shkurt, në Iran ka pasur rritje të ekzekutimit të personave të cilët grupet për drejtat e njeriut i konsiderojnë të burgosur politikë – nga protestuesit e deri te anëtarët e supozuar të grupeve të ndaluara, si dhe të persona të dënuar për spiunazh.