Irani dhe Shtetet e Bashkuara thonë se ka përparim në bisedimet për një marrëveshje të paqes, por deklaratat e tyre tregojnë se negociatat mbeten të brishta.
Disa orë pasi nënpresidenti amerikan, JD Vance, u largua nga Zvicra më 22 qershor, pas bisedimeve që sipas tij sollën “pëparim të mirë”, presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin se do të veprojë nëse nuk respekton marrëveshjen me Uashingtonin.
“Nëse Irani nuk i përmbahet marrëveshjes, ose nëse nuk sillet siç duhet, do të bëj atë që duhet të bëj”, u tha Trump gazetarëve në Uashington, por pa dhënë më shumë detaje.
Vance tha se është bërë përparim drejt kornizës së një marrëveshjeje përfundimtare për paqe brenda 60 ditësh.
Ajo përfshin garanci për kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, përfundimin e luftimeve në Liban dhe pranimin e vizitave të inspektorëve ndërkombëtarë bërthamorë nga ana e Iranit.
“Kemi vendosur një themel shumë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme”, u tha Vance gazetarëve më 22 qershor, në resortin Burgenstok në Zvicrën qendrore, pas bisedimeve që zgjatën gjatë gjithë natës.
“Marrëveshja përfundimtare është shtëpia. Ne kemi vendosur themelet; nuk e kemi ndërtuar ende shtëpinë, por kemi hedhur një bazë të mirë për të arritur një rezultat të favorshëm për popullin amerikan”, tha ai.
Këto themele duket se janë mjaftueshëm të forta, pasi Uashingtoni njoftoi se i ka lejuar Iranit të prodhojë dhe shesë naftë në tregjet ndërkombëtare.
“Në përputhje me bisedimet produktive në Zvicër, Irani është zotuar për transit të lirë dhe të hapur në Ngushticën e Hormuzit. Ai, po ashtu, do t’i lejojë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) të kenë qasje në vend”, shkroi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, në rrjetin X më 22 qershor.
“Si pjesë e kësaj kornize, Thesari ka lëshuar një leje të përkohshme 60-ditore që autorizon prodhimin, dërgimin dhe shitjen e naftës iraniane”, shtoi ai.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahrejnin këtë javë, në vizitën e tij të parë zyrtare në Gjirin Persik që nga shpërthimi i luftës me Iranin, më 28 shkurt.
Misioni diplomatik synon t’i sigurojë aleatët rajonalë për qasjen e SHBA-së ndaj Iranit.
Edhe Irani e vlerësoi pozitivisht rundin e bisedimeve.
Negociatori kryesor iranian dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, tha për televizionin shtetëror se Teherani ka rënë dakord për krijimin e një linje komunikimi lidhur me kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Ai shtoi se gjatë bisedimeve është finalizuar edhe një marrëveshje për lirimin e 12 miliardë dollarëve asete të ngrira iraniane.
Edhe pse nuk u dhanë shumë detaje konkrete, marrëveshja duket se bazohet në objektivat e përgjithshme të memorandumit të mirëkuptimit (MOU) që SHBA-ja dhe Irani nënshkruan javën e kaluar.
Ky dokument i la të paqarta shumë nga pikat e marrëveshjes me 14 pika, duke i lënë ato për t’u sqaruar më vonë.
Vance tha se Irani ka pranuar t’i rikthejë inspektorët bërthamorë ndërkombëtarë dhe se palët janë duke punuar për një mekanizëm që siguron kalim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe pastrimin e zonës nga minat, për të shmangur problemet në furnizimin global me energji.
Ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani thanë se rundi i parë i bisedimeve ka përfunduar, por se diskutimet teknike do të vazhdojnë javën e ardhshme.
Ata shtuan se do të krijohen grupe pune për çështjet bërthamore, sanksionet dhe një mekanizëm për monitorim dhe zgjidhje mosmarrëveshjesh, për të siguruar zbatimin e marrëveshjes.
Heqja e bllokadës
Ministria e Jashtme e Iranit, përmes deklaratave të raportuara nga media shtetërore iraniane, tha se është hequr një bllokadë amerikane ndaj porteve, janë liruar “disa asete të ngrira” dhe është nisur një “plan i madh zhvillimor për rindërtimin e Iranit”.
Një zëdhënës i ministrisë tha se, për kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, është rënë dakord për krijimin e një mekanizmi, por nuk dha më shumë detaje.
Delegacionin amerikan në negociata e udhëhoqën Vance, i dërguari special, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.
Delegacionin iranian e udhëhoqën kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi.
Sipas deklaratës së ndërmjetësve, duke u bazuar në memorandumet e mëhershme mes Uashingtonit dhe Teheranit, palët janë pajtuar për krijimin e një komiteti të nivelit të lartë që do të mbikëqyrë procesin politik të ndërmjetësimit.
Po ashtu, është krijuar një “linjë komunikimi” për periudhën 60-ditore për të shmangur incidentet dhe keqkuptimet, me qëllim sigurimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Gjithashtu, do të krijohet një “qelizë dekonflikti” me pjesëmarrjen e SHBA-së, Iranit dhe Libanit, për të siguruar përfundimin e operacioneve ushtarake në Liban, siç është paraparë në memorandum.
Uashingtoni është zotuar se do të lehtësojë krijimin e një fondi të rindërtimit prej 300 miliardë dollarësh, të mbështetur nga vendet e rajonit, sapo të arrihet një marrëveshje përfundimtare më e gjerë për programin bërthamor të Iranit.
Marrëveshja, dhe sidomos plani për krijimin e një fondi rindërtimi si dhe mungesa e qartësisë për programin bërthamor të Iranit, janë pritur me zemërim nga demokratët në SHBA, por edhe nga shumë republikanë.
Vance iu përgjigj këtyre shqetësimeve duke thënë se, “nëse” fondet iraniane zhbllokohen ndonjëherë, SHBA-ja do të sigurohet që ato të përdoren për të ndihmuar popullin iranian dhe jo për të financuar terrorizmin.
Ai shtoi se paratë do të shkonin për kompani amerikane që do të furnizonin Iranin me ushqime dhe mallra të tjera bazë.
Megjithatë, guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdul Nasser Hemmati, u citua nga agjencia e lajmeve Tasnim të ketë thënë se Teherani nuk do të jetë i detyruar të blejë produkte bujqësore nga SHBA-ja dhe se fondet e zhbllokuara nuk do të përdoren domosdoshmërisht vetëm për blerje të mallrave esenciale.
Shumë udhëheqës izraelitë kanë shprehur, po ashtu, dyshime për disa pjesë të bisedimeve, duke theksuar se Izraeli nuk është palë në marrëveshje, dhe janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.
Hezbollahu - grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit dhe që mbështetet nga Irani -konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa BE-ja ka vendosur sanksione vetëm kundër krahut të tij ushtarak, jo atij politik.
Disa raporte sugjerojnë, gjithashtu, se rezistenca nga disa fraksione të ashpra brenda Iranit - përfshirë Gardën Revolucionare Islamike - ka shtuar presion mbi ekipet negociuese të Teheranit.