Ndërlidhjet

Si po i ndryshon lufta në Iran dinamikat e sigurisë në Lindjen e Mesme

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, pritet nga Princi Faisal bin Salman bin Abdulaziz, pas arritjes në qytetin e shenjtë të Medinës në Arabinë Saudite më 2022.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, pritet nga Princi Faisal bin Salman bin Abdulaziz, pas arritjes në qytetin e shenjtë të Medinës në Arabinë Saudite më 2022.

Lufta e prolonguar SHBA-Iran ka bërë që shumë vende të Gjirit të rishqyrtojnë nevojat e tyre të mbrojtjes. Për Pakistanin, i cili ka vepruar si ndërmjetës në negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit, kjo paraqet një mundësi për të stabilizuar ekonominë e tij të brishtë dhe për të përmirësuar shtrirjen e tij diplomatike në mbarë botën.

Por, partneritetet në zhvillim mes Islamabadit dhe kryeqyteteve të Lindjes së Mesme po riformësojnë po ashtu dinamikat e sigurisë në rajon, për të cilat analistët besojnë se mund të sjellin tensione të reja në marrëdhëniet mes shteteve.

Kuvajti është bërë shteti i dytë i Gjirit Persik që ka ratifikuar një marrëveshje të mbrojtjes me Pakistanin, e cila parashikon trajnime ushtarake, shkëmbime personeli dhe këmbim të informacioneve të inteligjencës. Edhe pse ishte nënshkruar në qershor të vitit 2023, marrëveshja mori miratimin përfundimtar vetëm javën e kaluar nga kabineti i Kuvajtit, njoftoi më 26 korrik Gazeta Zyrtare e Kuvajtit, Al-Kuwait Al-Youm.

Vitin e kaluar, Arabia Saudite nënshkroi me Pakistanin një marrëveshje strategjike të mbrojtjes së ndërsjellë, e cila përfshinte një klauzolë të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, ku thuhet se “çdo agresion ndaj cilitdo prej dy vendeve do të konsiderohet agresion ndaj të dyjave”.

Zyrtarët pakistanezë thonë se një draft i një marrëveshjeje të veçantë të mbrojtjes mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite tashmë është përgatitur dhe po pret një konsensus përfundimtar nga të tre palët.

Veçmas, udhëheqësit e të ashtuquajturës “katërshe rajonale”, ose R4 – Pakistani, Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia – kanë diskutuar për aleancën e tyre që prej konfliktit 12-ditor mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit në qershor të vitit 2025.

Ministrat e Jashtëm të këtyre shteteve zhvilluan takimin e tyre të katërt konsultativ në Kajro më 21 qershor, ku diskutuan zhvillimet rajonale. Më vonë, Ministria e Jashtme e Turqisë njoftoi se takimi rikonfirmoi rëndësinë e vazhdimit të konsultimeve dhe koordinimit “në mbështetje të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit” në Lindjen e Mesme dhe në rajon.

Më herët, në shkurt, Turqia nënshkroi një marrëveshje kornizë ushtarake me Egjiptin, teksa po avanconte një nismë të përbashkët për prodhimin në fushën e hapësirës ajrore me Arabinë Saudite.

Para ratifikimit të marrëveshjes së saj të mbrojtjes me Pakistanin, Kuvajti, ashtu si vendet e tjera të Gjirit, ishte vazhdimisht në shënjestër të raketave dhe dronëve nga Irani, që shkaktuan dëme në infrastrukturë dhe viktima në njerëz. Kuvajti është mikpritës i të paktën tri baza ushtarake amerikane, me një numër personeli që vlerësohet të jetë prej 13 mijë personash.

Analistët thonë se urgjenca e shteteve të pasura të Gjirit për të kërkuar marrëveshje mbrojtjeje me Pakistanin dhe për të krijuar aleanca të reja u nxit nga dobësitë e sistemeve të tyre të mbrojtjes përballë sulmeve me raketa dhe dronë nga Irani, pavarësisht se ato janë aleate të vendit më të fuqishëm në botë, SHBA-së.

Mushahid Hussain Sayed, ish-senator pakistanez dhe analist i mbrojtjes me bazë në Islamabad, tha se vendet e Lindjes së Mesme kanë nisur një “rishqyrtim” të politikave të tyre, pasi “rreth 16 baza [amerikane] nuk mundën t}i shpëtonin nga sulmet me raketa dhe dronë të Iranit”.

Sayed tha se Pakistani është bërë “qendra e gravitetit”, pasi vepron si urë lidhëse mes Teheranit dhe Uashingtonit në çështjet e paqes dhe ka marrëdhënie të afërta me Kinën.

Alex Vatanka, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington, tha se Pakistani ka kapacitetet ushtarake me fleksibilitetin strategjik.

“Ai ruan raporte me Arabinë Saudite, Iranin, Kinën dhe SHBA-në, pa iu bashkuar plotësisht asnjërit kamp, duke e bërë atë një partner të dobishëm të sigurisë në një rajon gjithnjë e më shumë multipolar”.

“Aranzhimet e reja të sigurisë që po shfaqen në rajon janë më shumë partneritete të mbivendosura sesa blloqe të përcaktuara qartë”, tha Vatanka Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Indisë, si dhe Kinës dhe Pakistanit.

Këto lloj marrëveshjesh u japin “shteteve më shumë hapësirë për manovrim, por gjithashtu i bëjnë krizat rajonale më komplekse dhe më të vështira për t’u menaxhuar”, shtoi ai.

Teksa Pakistani po zgjeron shtrirjen e tij në Lindjen e Mesme, fqinji i tij shumë më i madh, India, tashmë ka krijuar lidhje të forta me Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat dikur konsideroheshin ndër aleatët më të afërt të Pakistanit.

Siç duket i pakënaqur me zgjerimin e lidhjeve të mbrojtjes mes Pakistanit dhe Arabisë Saudite, si dhe me rolin ndërmjetësues të Islamabadit në konfliktin Iran-SHBA, në prill, Abu Dabi i kërkoi Pakistanit të kthente menjëherë një hua prej 3.5 miliardë dollarësh.

Për dekada, Pakistani – shtet që ka armë bërthamore – është i varur nga kreditë dhe mbështetja financiare e vendeve të pasura të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin. Ekonomia e brishtë e Pakistanit ka qenë kryesisht e varur nga ndihma e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht gjatë luftës në Afganistan nga viti 2001 deri më 2021, si dhe nga huatë e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Për Pakistanin, faktorët shtytës janë ekonomia e tij e brishtë dhe rreziku i vazhdueshëm i izolimit nga fqinji i tij shumë më i madh në Azinë Jugore, India. Për shtetet e Gjirit, motivimi është në forcimin e kapaciteteve të tyre mbrojtëse përmes zhvillimit të industrisë ushtarake vendore dhe avancimit teknologjik, të cilat i kanë afruar më shumë ato me njëra-tjetrën”, tha Feroz H. Khan, ish-brigadier i Ushtrisë së Pakistanit dhe hulumtues në Shkollën Pasuniversitare Detare në Kaliforni.

Khan i tha Radios Evropa e Lirë se vendet e Gjirit kanë humbur besimin tek arkitektura e mëparshme e sigurisë nën ombrellën e SHBA-së, pasi ato u sulmuan si nga Irani dhe Izraeli.

“Ata tani janë më të interesuar për një aparat të pavarur të sigurisë, në vend që të mbështeten te forcat e jashtme”, tha Khan.

Pakistani dhe India, të dyja vende me armë bërthamore, kanë zhvilluar disa luftëra që nga pavarësia e tyre nga Britania në vitin 1947. Duke qenë shumë më e madhe për nga territori, popullsia, ekonomia dhe kapacitetet mbrojtëse, India tradicionalisht është konsideruar fuqi rajonale në Azinë Jugore.

“Si pjesë e rëndësisë së tij strategjike, Pakistani ka krijuar një rol për veten në Lindjen e Mesme duke u paraqitur si kështjella lindore e botës myslimane”, tha Khan. “Në vend që të përpiqej të konkurronte me një Indi shumë më të madhe në Azinë Jugore, Pakistani ka shfrytëzuar me sukses konfliktin SHBA-Iran për t’u pozicionuar si një fuqi e Lindjes së Mesme”.

XS
SM
MD
LG