Ndërlidhjet

Irani mohon se ka qenë mbrapa sulmeve kibernetike në Shqipëri


Flamuri iranian.

Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se Teherani ka qenë mbrapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë.

Shqipëria ka urdhëruar dëbimin e zyrtarëve iranianë nga shteti dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.

“Ky është vendim i pamatur dhe i nxituar, që është bazuar në insinuata të pabazuara”, ka thënë Ministria e Jashtme iraniane.

Sipas ministrisë, vetë Irani ka qenë viktimë e sulmeve kiberbetike në infrastrukturë kritike.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se u ka dhënë afat prej 24 orësh të gjithë diplomatëve iranianë që të largohen nga shteti.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.

Marksist-islamistë apo Luftëtarë të Lirisë? Brenda grupit opozitar iranian MEK
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” për sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj aleates së NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara do të marrin veprime të mëtejme për të mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleates së NATO-s dhe vendosin precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, ka thënë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson përmes një deklarate.

Pas sulmit kibernetik të muajit korrik, Ambasada amerikane në Shqipëri pati ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm, që është thënë se ka pasur cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim.

Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.

XS
SM
MD
LG