Ndërlidhjet

Mediat iraniane: Teherani do të blejë avionë luftarakë SU-35 nga Rusia


Avion rus SU-35. Fotografi ilustruese.
Avion rus SU-35. Fotografi ilustruese.

Media shtetërore iraniane raportuan të shtunën se Teherani ka arritur marrëveshje për të blerë avionë luftarakë të avancuar SU-35 nga Rusia. Mediat cituan misionin e Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.

"Irani ka kërkuar nga disa vende që të shqyrtojnë mundësinë që t’i shesin Tehranit avionë luftarakë dhe Rusia është përgjigjur pozitivisht në këtë kërkesë”, thuhet në raportimin e Transmetuesit të Republikës Islamike të Iranit (IRIB), që citonte misionin në OKB.

Në raportimet e mediave nuk janë dhënë detaje të marrëveshjes, e as komente nga pala ruse.

Në dhjetor të vitit të kaluar, administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, e ka akuzuar Rusinë se po e mbështet Iranin me ndihma ushtarake – përfshirë këtu furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore, helikopterë dhe avionë luftarakë.

Kjo u tha se është pjesë e një bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve, pasi që Teherani e mbështet pushtimin e Ukrainës nga Rusia përmes furnizimit të ushtrisë ruse me dronë.

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha në dhjetor se, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Rusia po i ofronte Iranit “mbështetje të paprecedentë ushtarake dhe teknike që po e transferon marrëdhënien e tyre në një partneritet të plotë të mbrojtjes”.

Kirby tha se Rusia dhe Irani po e shqyrtonin mundësinë e ndërtimit të një linje montimi të dronëve në Rusi, ndërsa Rusia po ushtron pilotë iranianë për avionin luftarak Sukhoi SU-35, “me të cilin mund të furnizohet Irani brenda vitit”.

“Këta avionë luftarakë do ta përforcojnë dukshëm forcën ajrore të Iranit në krahasim me fqinjët e tyre regjional”, tha ai.

Shqetësimet lidhur me përforcimin e partneritetit mes Rusisë dhe Iranit vijnë pasi administrata e Bidenit e ka akuzuar vazhdimisht Iranin se po i ndihmon Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

SHBA-ja sanksionoi në janar individë të lidhur me prodhimin e dronëve iranianë që, sipas Uashingtonit, u përdorën nga forcat ruse në luftën në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG