Ndërlidhjet

Irani paralajmëron SHBA-në për balancat në Lindjen e Mesme

  • RFE /RL

Ilustrim

Shefi i energjisë atomike në Iran, Ali Akbar Salehi, i cili ndihmoi në krijimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara, rreth shqetësimeve për balancimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.

Ky paralajmërim vjen pas mbështetjes me armë që SHBA-ja i ka dhënë Arabisë Saudite.

Duke shkruar për gazetën “Guardian”, Salehi është shprehur se Teherani e konsideron “provokues” njoftimin e administratës së presidentit Trump, se SHBA-ja do t’i shesë armë Arabisë Saudite, në vlerë 110 miliardë dollarë.

"Ky është rast konkret se si përpjekjet e mbrojtjes kombëtare të Iranit, kundërshtohen dhe minohen në të njëjtën kohë", ka thënë ai.

Saleh me këtë deklaratë ka aluduar në hapat që administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë për të rritur sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit për zhvillimin e raketave balistike, ndërsa ka rritur shitjet e armëve në Riad dhe vende të tjera aleate.

"Do të ishte jo e drejtë të pritej që Irani të mbetet indiferent ndaj sjelljeve të tilla destabilizuese ", ka thënë Salehi, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Iranit dhe ishte negociator i lartë për marrëveshjen bërthamore.

Salehi theksoi se lëkundja e fortë e Uashingtonit ndaj rivalëve të Teheranit në Lindjen e Mesme, jo vetëm që rrezikon vendosjen e një gare rajonale të armëve dhe "tensione dhe konflikte të mëtejshme" në rajon, por ajo rrezikon marrëveshjen bërthamore "të arritur me vështirësi", për të cilën u negociua për dy vjet.

Ai ka thënë se në rast se mbijeton marrëveshja bërthamore, Perëndimi duhet të ndryshojë kursin:

"Ka ardhur momenti i së vërtetës".

Trump dhe sauditët shpesh fajësojnë Iranin për luftërat nga Jemeni në Siri.

Sauditët, sikurse presidenti Trump, kanë kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen bërthamore. Edhe pse, Trump ka premtuar ta "prishë marrëveshjen katastrofale", ai ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për ta bërë këtë.

Administrata e presidentit Trump ka dhënë shenja se do t'i përmbahet marrëveshjes, e cila kërkon nga Irani të frenojë aktivitetet e saj bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Por, në artikullin e Salehit në “Guardian” thuhet se respektimi i rreptë i marrëveshjes nga ana e Iranit mund të vihet në dyshim në të ardhmen, nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shpërfillin "shqetësimet e vërteta të sigurisë" së Iranit dhe të "nxisin iranofobinë" në vendet e rajonit.

Salehi, po ashtu, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj perëndimorë që të "ruajnë" marrëveshjen bërthamore dhe të tregojnë angazhim për bashkëpunim me Iranin.

Ai ka thënë se votuesit iranianë kanë treguar vullnetin e tyre për bashkëpunim me Perëndimin duke rizgjedhur presidentin Hassan Rohani me platformën e tij pro-perëndimore, mirëpo sipas tij, "bashkëpunimi nuk mund të bëhet vetëm me angazhimin e njërës palë”.

"Për fat të keq, nëse gjërat qëndrojnë në gjendjen momentale, në kërkim të një ekuilibri të ri, e ardhmja mund të jetë përtej asaj që kemi parashikuar”, tha ndër të tjera Salehi.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG