Teherani tha se ka ndalur sulmet hakmarrëse kundër aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, teksa Uashingtoni u përmbajt nga sulmet ndaj Iranit për natën e dytë radhazi.
Ndërkaq, një zyrtar i lartë ushtarak në Teheran kërcënoi se Irani mund t’i zgjerojë sulmet në mbarë rajonin, duke lënë të kuptohet se rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, mund të intensifikojnë sulmet ndaj anijeve që lundrojnë në Detin e Kuq.
Qetësia gjatë natës së 26 korrikut erdhi vetëm dy ditë para një takimi kyç të planifikuar në Uashington mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Vizita e 28 korrikut përkon saktësisht me pesëmujorin e nisjes së një fushate të gjerë sulmesh ajrore ndaj caqeve iraniane nga forcat amerikane dhe izraelite.
Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe praktikisht e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rrugën strategjike detare përmes së cilës rëndom kalon një sasi e madhe nafte dhe gazi drejt tregjeve botërore.
Në javët e fundit, Uashingtoni shpalli një armëpushim të pjesshëm, megjithëse para 24 korrikut kishte kryer bombardime të pandërprera ndaj caqeve iraniane për pothuajse dy javë.
Sipas The New York Times, ndërprerja e përkohshme e sulmeve amerikane u nxit pjesërisht nga pakësimi i rezervave amerikane të raketave pengueese, të përdorura për rrëzimin e raketave iraniane, gjë që ka shkaktuar shqetësim te planifikuesit ushtarakë amerikanë.
Nënpresidenti JD Vance, dhe gjenerali Dan Caine, shef i Shtabit të Përgjithshëm, shprehën shqetësime për përshkallëzimin e konfliktit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, raportoi CNN.
Pentagoni, megjithatë, ka këmbëngulur se forcat e tij mbeten të pajisura mirë. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell i tha CNN-it se “ushtria amerikane ka një arsenal të madh kapacitetesh”.
Një zëdhënës i ushtrisë iraniane paralajmëroi më 26 korrik se lufta do të zgjerohej edhe më shumë nëse SHBA-ja vendosë të rifillojë sulmet.
“Sulmet vazhduan deri para dy netësh, por gjatë dy netëve të fundit amerikanët i kanë ndalur sulmet e tyre”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia, sipas agjencisë gjysmëzyrtare Mehr.
“Meqenëse strategjia jonë ka qenë hakmarrëse, edhe ne i kemi pezulluar operacionet tona hakmarrëse”, tha ai.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 26 korrik, Trump tha se ende nuk kishte vendosur nëse do t’i rikthehej fushatës së plotë ushtarake. Ai tha po ashtu se Irani përballet me zgjedhjen mes arritjes së një marrëveshjeje ose ballafaqimit me sulme “të një niveli shumë më të lartë”.
Përveç shqetësimeve për rezervat e armëve të SHBA-së, edhe pakënaqësia në rritje mes votuesve amerikanë mund të ndikojë në planet e Shtëpisë së Bardhë për luftën. Sondazhet tregojnë se lufta me Iranin është gjerësisht jopopullore dhe kjo mund të bëhet një çështje e rëndësishme për Partinë Republikane të Trumpit në zgjedhjet e ardhshme për Kongresin amerikan, që mbahen në nëntor.
Rebelët Huthi në Jemen thanë se kanë rrëzuar një dron të lëshuar nga aleatja e SHBA-së, Arabia Saudite. Ky është incidenti i fundit në një seri përplasjesh që kanë rritur frikën se konflikti me Iranin mund të zgjerohet edhe më shumë në rajon.
Ditët e fundit, rebelët jemenas gjithashtu pretenduan se kanë kryer sulme ndaj objekteve saudite të naftës.
Ushtria iraniane ndaloi gjashtë anije që po përpiqeshin të kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë 24 orëve të fundit, raportoi më 26 korrik televizioni shtetëror iranian.
Teherani tha se ka bërë përparim në bisedimet me Omanin – i cili kufizohet me pjesën më të ngushtë të ngushticës – lidhur me “parimet e përbashkëta dhe mekanizmat operacionalë” për transportin detar.
Omani dhe Irani thanë se do të diskutojnë vendosjen e tarifave për shërbimet e lundrimit, një veprim të cilin Uashingtoni e kundërshton.