Ndërlidhjet

Italia pret turistët e huaj, pa maska


Një turiste në Romë.
Një turiste në Romë.

Italianët kanë dalë të hënën nëpër rrugë, pa maska, teksa e gjithë Italia është kategorizuar si vend me rrezik të ulët për koronavirus.

Sipas një dekreti, që ka nisur së zbatuari të hënën, Ministria e Shëndetësisë, ka klasifikuar 20 rajonet e Italisë si “të bardha”.

Ky vendim nënkupton që maskat në fytyrë nuk janë më të detyrueshme në ambiente të jashtme – një lajm i mirëpritur për shtetin që pritet të përballet me valë të të nxehtit deri më 40 gradë Celsius këtë javë.

“Është një lloj lehtësimi, sepse është shumë nxehtë”, ka thënë Salvatore Casuccio, qytetar i Romës për agjencinë e lajmeve AFP.

Megjithatë, disa njerëz janë parë edhe të hënën me maska, disa nga shprehia, disa nga shqetësimi për virusin.

Giulia, një tjetër banore e Romës, ka thënë se vazhdon të jetë e shqetësuar për situatën.

“Ende nuk ka mbaruar”, ka thënë ajo.

Dikur simbol i krizës së koronavirusit në Perëndim, Italia tani ka regjistruar numër relativisht të vogël të rasteve me koronavirus në javët e fundit.

Një e treta e popullsisë mbi 12 vjeç, është vaksinuar plotësisht apo 17.8 për qind, sipas të dhënave të Qeverisë italiane.

Turistët nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Japonia, do të mund ta vizitojnë këtë vend, pa iu nënshtruar masës së karantinës, nëse janë të vaksinuar, apo kanë test negativ për koronavirus.

Pavarësisht përparimit, ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza, u ka bërë thirrje italianëve që të jenë vigjilentë teksa varianti Delta, po përhapet gjithandej.

Në Itali, më shumë se 127,000 persona kanë vdekur nga komplikimet e lidhura me koronavirus, derisa mbi 4 milionë persona janë infektuar.

XS
SM
MD
LG