Ndërlidhjet

Izraeli thotë se s’do të tërheqë trupat nga Libani

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. Fotografi nga arkivi.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. Fotografi nga arkivi.

Izraeli nuk do të tërheqë trupat e tij nga Libani, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, teksa Tel Avivi dhe Bejruti vazhdojnë bisedimet që ndërmjetësohen nga Uashingtoni.

“E kemi bërë të qartë që në asnjë rrethanë ne do të tërhiqemi”, tha Katz gjatë konferencës së MUNI EXPO në Tel Aviv më 24 qershor, duke shtuar se këtë qëndrim ia ka paraqitur edhe palës amerikane.

“Për momentin – dhe kjo është arritje diplomatike – nuk ka asnjë kërkesë amerikane për Izraelin që të tërhiqet nga Libani”, shtoi ai.

Deklarata e Katzit erdhi në një kohë kur Izraeli dhe Libani po diskutojnë një propozim të mbështetur nga SHBA-ja gjatë negociatave në Uashington, i cili do të parasheh tërheqjen e forcave izraelite nga pjesë të territorit që kanë pushtuar dhe transferimin e kontrollit te forcat libaneze.

Duke folur me gazetarët pas nisjes së ditës së dytë të bisedimeve, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Izraeli dhe Libani po “negociojnë si dy shtete sovrane me qëllimin për të gjetur paqe dhe siguri afatgjatë”.

“Qëllimi ynë i përbashkët është t'i japim fund njëherë e mirë ciklit të dhunës. Bisedimet vazhdojnë të avancojnë drejtë një paqeje dhe sigurie gjithëpërfshirëse mes dy vendeve”, shtoi zyrtari.

Izraeli nisi sulme ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit, pasi forcat e Hezbollahut hapën zjarr në mbështetje të Teheranit.

Memorandumi i mirëkuptimit i arritur mes SHBA-së dhe Iranit parasheh “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Hezbollahu është një grup i armatosur dhe parti politike që kontrollon pjesë të mëdha në jug të Libanit. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

XS
SM
MD
LG