Ndërlidhjet

James Mattis largohet nga posti


James Mattis
James Mattis

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do të largohet nga posti në fillim të vitit të ardhshëm, pasi, siç tha në letrën e dorëheqjes, pikëpamjet e tij nuk janë plotësisht "të përafërta" me ato të presidentit Donald Trump.

Letra e tij u bë publike shumë shpejt pasi Trump shkroi në Twitter se Mattis do të pensionohet në fund të muajit shkurt.

"Mattis ka qenë një ndihmë e madhe për mua në bindjen e aleatëve dhe të vendeve të tjera për të paguar pjesën e tyre të obligimeve ushtarake", shkroi Trump në Twitter.

Lajmi për largimin e Mattisit vjen në javën kur Trump njoftoi se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Mattis tha se i ka trajtuar aleatët me respekt dhe se ka përdorur "të gjitha mjetet e fuqisë amerikane për të siguruar mbrojtje të përbashkët".

"Meqë keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më të harmonizuara me të tuat mbi këto dhe çështje të tjera, besoj se është e drejtë që unë të jap dorëheqje", shkroi gjenerali Mattis në letrën e tij.

Mediat amerikane raportojnë se Mattis dhe ndihmës të tjerë të sigurisë kombëtare e kanë kundërshtuar vendimin e Trumpit për tërheqje nga Siria, duke thënë se ai i bën fitues Iranin, Rusinë dhe Turqinë.

Reuters citoi një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se Mattis ka dhënë dorëheqje gjatë një takimi me Trumpin, pasi ata kanë shprehur pikëpamje të ndryshme "për disa çështje".

"Unë besoj se duhet të jemi të vendosur dhe të qartë në qasjen tonë ndaj atyre vendeve, interesat strategjike të të cilave janë gjithnjë e më shumë në tension me tonat", tha po ashtu Mattis në letrën e dorëheqjes.

Mattis, 69 vjeç, gjeneral i marinsave me katër yje dhe me një karrierë prej 40 vjetësh, ka qenë një nga anëtarët më të respektuar të administratës Trump dhe ka gëzuar respekt edhe nga demokratët, edhe nga republikanët.

Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, tha se dorëheqja e Mattisit është një tregues i “kaosit” në administratën amerikane.

Demokrati Mark Warner, nënkryetar i Komitetit të Inteligjencës të Senatit, shkroi në Twitter se "kjo është e frikshme" dhe se "Mattis ka qenë një ishull stabiliteti në mes të kaosit të administratës Trump".

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e lavdëroi Mattisin dhe tha se është për keqardhje që ai po lë administratën.

Senatori republikan, Marco Rubio, shkroi në Twitter: “Vetëm lexojeni letrën e gjeneralit Mattis. E bën shumë të qartë se po shkojmë drejt një serie gabimesh të rënda politike që do të rrezikojnë kombin tonë, do t’i dëmtojnë aleancat tona dhe do t’i fuqizojnë kundërshtarët tanë”.

Largimi i Mattisit është ikja e radhës e një zyrtari të lartë të administratës, ndërsa Trump është vetëm në gjysmë të mandatit të parë.

Trump ka njoftuar më 8 dhjetor se John Kelly, gjeneral i pensionuar i Korpusit Detar, do të lërë postin e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë në fund të këtij viti.

Në mesin e të ikurve të tjerë të fundit është edhe Jeff Sessions, prokuror i përgjithshëm, i cili është detyruar të japë dorëheqje më 7 nëntor, ndërsa ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, ka thënë më 9 tetor se do të japë dorëheqje në fund të vitit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG