Ndërlidhjet

Japonia e quan “akt armiqësor kundër njerëzimit” përdorimin e armëve bërthamore


Kryeministri japonez, Fumio Kishida.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha se përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Rusia në luftën në Ukrainë, do të konsiderohej një “akt armiqësor kundër njerëzimit”.

“Veprimi i Rusisë për të kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore është një kërcënim serioz ndaj paqes dhe sigurisë së komunitetit ndërkombëtar dhe është absolutisht i papranueshëm”, tha Kishida më 22 tetor gjatë vizitës në Australi.

Në maj të vitit të ardhshëm, Kishida pritet të jetë nikoqir i liderëve të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në qytetin e Hiroshimës, ku Shtetet e Bashkuara kishin hedhur bombë bërthamore më 6 gusht të vitit 1945. Nga lëshimi i bombës bërthamore kishin vdekur 140.000 persona.

Tri ditë më vonë, qyteti tjetër japonez, Nagasaki, kishte qenë cak i sulmit tjetër me bombë bërthamore.

Japonia është shteti i vetëm në botë që ka qenë cak i sulmeve me bombë bërthamore.

Kishida tha se periudha 77-vjeçare e mospërdorimit të armëve bërthamore “nuk duhet të përfundojë”.

“Nëse armët bërthamore do të përdoren ndonjëherë, përdorimi i tyre do të ishte akt armiqësor kundër njerëzimit... komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk do të lejojë një akt të tillë”, tha ai, duke shtuar se aluzionet bërthamore të presidentit rus, Vladimir Putin, janë “thellësisht shqetësuese”.

Putin ka bërë kërcënime të maskuara lidhur me vullnetin e tij për të dislokuar armë bërthamore taktike kundër Ukrainës, teksa forcat e tij, që nga 24 shkurti, po vazhdojnë pushtimin e Ukrainës.

XS
SM
MD
LG