Ndërlidhjet

Zulfaj: Kosova pritet t’i humbë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes

Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj.

Për shkak të moszbatimit të reformave me kohë, Kosova pritet të humbasë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, në një konferencë për media më 1 korrik, tha se gjashtë hapa nuk u zbatuan deri në afatin shtesë që skadoi më 30 qershor.

“Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin. Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Nga këta gjashtë hapa, ka zbatim në disa nënhapa. Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, varësisht nëse do t'i llogarisë edhe nënhapat e zbatuar”, tha Zulfaj.

Nga Plani i Rritjes – që përfshin periudhën 2024-2027 – në vlerë prej 6 miliardë eurosh, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Vendi është përfituesi më i madh nga ky fond në rajon për kokë banori.

Zulfaj tha se reformat që nuk u përmbyllen me kohë kanë të bëjnë me një sërë legjesh që duhen të miratohen nga Kuvendi, përfshirë Ligjin për energjinë dhe atë për energjinë elektrike, për sistemin e kontrollit të ndihmës shtetërore, Ligjin për inovacion, atë për kamatëvonesat, pakon e ligjeve për reforma në drejtësi që, sipas tij, përfshin gjashtë ligje, përfshirë ato për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë Gjyqësor si dhe Strategjinë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Kryenegociatori i Kosovës me BE-në tha se nga gjashtë reformat e pazbatuara, pesë prej tyre kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve apo 83 për qind kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve në Kuvend.

“Me fjalë të tjera, pothuajse të gjitha hapat që nuk kanë arritur të zbatohen janë si pasojë e bllokadës dhe mosfunksionimit të Kuvendit”, tha ai.

Agjenda e reformave përfshin 111 hapa me akte nënligjore që përfshijnë rreth 300 nënhapa të tjerë.

Kosova aktualisht është me ekzekutiv në detyrë, pasi vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare më 7 qershor dhe rezultati zgjedhor ende nuk është certifikuar. Vitin e kaluar, Kosova organizoi dy palë zgjedhje, në shkurt – që ishin të rregullta – dhe më pas në dhjetor, pasi nuk kishte konsensus për krijimin e institucioneve.

Vetëm pas certifikimit të rezultateve të 7 qershor hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.

Zulfaj në konferencën për media tha po ashtu se edhe 49 hapa të tjerë janë në zbatim e sipër, përfshirë 27 prej tyre që kanë afat për zbatim deri në fund të këtij viti.

Në prill, Kosova përfitoi pjesën e parë të fondeve të parafinancimit, duke marrë 61.8 milionë euro, pasi shteti dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

Ky plan i BE-së, veç tjerash, synon të dyfishojë ekonomitë e këtyre vendeve gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG