Ndërlidhjet

Biden: Putini është përgjegjës për vdekjen e Navalnyt


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të premten se nuk ndihet i befasuar por i “zemëruar” pas vdekjes së raportuar të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, duke thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është përgjegjës për vdekjen e tij.

“Ai e kundërshtoi trimërisht korrupsionin, dhunën dhe të gjitha gjërat e këqija që po i bënte Qeveria e Putinit”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë tha se është duke kërkuar më shumë të dhëna rreth vdekjes së Navalnyt në burgun rus.

Kjo ngjarje i ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të përkeqësuara mes SHBA-së dhe Rusisë.

Navalny, 47-vjeçar, ka qenë kritik i zëshëm i Putinit, dhe Biden kishte thënë pas një takimi me Putinin në Gjenevë në qershor 2021 se vdekja e Navalny do të kishte rrezikuar pasoja shkatërruese për Putinin.

Biden dhe Putin kanë mospajtime të thella për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi para dy vjetëve, dhe Bideni tani po i bën thirrje republikanëve në Kongresin amerikan ta mbështesin dhënien e ndihmës shtesë financiare për armatimin e ushtrisë ukrainase në këtë luftë.

Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.

*Video: Në paraqitjen e tij të fundit në video, Navalny bënte shaka me zyrtarët e burgut

Navalny bënte shaka me zyrtarë të burgut në paraqitjen e fundit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:33 0:00

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.

Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në rrjetin social X se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalny, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.

“Nuk e di nëse duhet t’i besojmë lajmit të tmerrshëm. Ne nuk mund t’i besojmë Putinit dhe Qeverisë së tij. Por, nëse kjo është e vërtetë, do të doja që Putini dhe i gjithë stafi i tij, i gjithë rreth i tij, Qeveria e tij dhe miqtë e tij, ta dinë se do të ndëshkohen për atë që kanë bërë me shtetin tonë, me familjen time dhe me bashkëshortin tim”, tha Yulia Navalnaya.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

XS
SM
MD
LG