Ndërlidhjet

Biden thotë se SHBA-ja dhe Gjermania janë në linjë të njëjtë për krizën në Ukrainë


Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Joe Biden.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë në të njëjtën linjë, teksa punojnë për të adresuar tensionet e shkaktuara nga grumbullimi i trupave ruse pranë Ukrainës, tha presidenti amerikan, Joe Biden teksa priti në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Biden tha më 7 shkurt se Gjermania dhe SHBA-ja po punojnë për të penguar agresionin rus në Evropë. Para takimit, Scholz tha se Perëndimi ishte i bashkuar në qasjen ndaj këtij problemi dhe se do të vepronte menjëherë nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet në të njëjtën ditë kur presidenti francez, Emmanuel Macron u takua në Moskë me homologun rus, Vladimir Putin, takim që ka për qëllim uljen e tensioneve pas grumbullimit ushtarak rus pranë kufijve të Ukrainës.

Kjo është vizita e parë e Scholz në SHBA pasi ai mori postin e kancelarit në dhjetorin e vitit të kaluar. Kancelari gjerman është përballur me kritika pasi nuk është pajtuar që të dërgojë armë në Ukrainë.

Para se të nisej për në Uashington, Scholz përsëriti qëndrimin se Gjermania nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, por tha se Berlini është i gatshëm të dërgojë trupa në shtetet baltike.

Ndërkaq, javën e kaluar, SHBA-ja dërgoi 3,000 trupa shtesë në Poloni dhe Gjermani, me qëllim që të ndihmojë aleatët e NATO-s.

Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi dhe dyshon se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Rusia mohon se ka plane që ta pushtojë Ukrainën, por kërkon që t’i plotësohen një sërë kërkesash të sigurisë, përfshirë edhe që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën.

XS
SM
MD
LG