Ndërlidhjet

Junta kërcënon me forcë vdekjeprurëse protestuesit në Mianmar


Ushtria në rrugët e qytetit Jangon në Mianmar.

Bizneset në Mianmar u futën të hënën në grevë të përgjithshme, për të kundërshtuar puçin ushtarak.

Mijëra protestues u mblodhën në qytete, me gjithë mesazhet e juntës ushtarake se konfrontimi do të kushtojë më shumë jetë.

Të dielën, qindra njerëz ndoqën funeralin e Mya Thwate Thwate Khaingut, një grua 20 vjeçe, e cila u bë simbol i rezistencës, pasi u qëllua në kokë më 9 shkurt, derisa ishte duke protestuar.

Të shtunën, dy protestues të tjerë u vranë, kur policia hapi zjarr në qytetin Mandalai.

Megjithatë, tri javë pas marrjes së pushtetit, junta ushtarake nuk ka arritur t’i ndalojë protestat e përditshme dhe lëvizjen civile të mosbindjes, e cila bën thirrje për përmbysjen e grushtshtetit të 1 shkurtit dhe lirimin e udhëheqëses së zgjedhur të Mianmarit, Aung San Suu Kyi.

Media në pronësi të shtetit MRTV i paralajmëroi të hënën protestuesit kundër daljes në rrugë.

“Protestuesit tani po i nxisin njerëzit, veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë emocionalë, në një rrugë konfrontimi, ku do të pësojnë humbje të jetës”, tha ushtria përmes deklaratës së transmetuar në televizionin shtetëror.

Përveç dyqaneve dhe restoranteve lokale, të hënën u mbyllën edhe zinxhirët ndërkombëtarë, përfshirë restorantin KFC dhe shërbimin e shpërndarjes së ushqimit Food Panda.

Video:

Revolucioni i një brezi të ri në Mianmar
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:10:32 0:00

Disa vende perëndimore e dënuan puçin ushtarak në Mianmar, si dhe dhunën kundër protestuesve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në Twitter se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të “marrin masa të forta” kundër autoriteteve që godasin me dhunë kundërshtarët e grushtshtetit në vendin e Azisë Juglindore, që gjithashtu njihet si Birmani.

“Ne qëndrojmë me popullin e Birmanisë”, tha ai.

Dhjetë ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqësve të puçit ushtarak në Mianmar.

Sanksionet godasin dhjetë individë, përfshirë ushtruesin e detyrës së presidentit, dhe tri kompani.

Britania, Gjermania, Japonia dhe Singapori gjithashtu e dënuan dhunën, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se forca vdekjeprurëse është e papranueshme.

Banorët në Jangon, qytetin më të madh të Mianmarit, thanë se rrugët drejt disa ambasadave, përfshirë atë të SHBA-së, u bllokuan të hënën.

Misionet diplomatike janë bërë pika grumbullimi për protestuesit që bëjnë thirrje për ndërhyrjen e huaj.

Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Mianmar, Tom Andrews, tha se është thellësisht i shqetësuar nga paralajmërimi i juntës për protestuesit.

“Ndryshe nga viti 1988, veprimet nga forcat e sigurisë po regjistrohen dhe ju do të mbani përgjegjësi”, tha ai në Twitter, duke iu referuar protestave të ’88-ës që po ashtu kanë kundërshtuar regjimin ushtarak.

Ushtria e Mianmarit ka organizuar puçin më 1 shkurt, duke flakur nga pushteti qeverinë e zgjedhur nga populli.

Udhëheqësja de facto Aung San Su Kyi është vënë në arrest shtëpiak, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Udhëheqjen e shtetit e ka marrë gjenerali Min Aung Hlaing.

Puçi ka pasuar zgjedhjet e përgjithshme në Mianmar, të mbajtura në muajin nëntor, në të cilat fituese e madhe ka dalë partia e Aung San Su Kyisë, Liga Kombëtare për Demokraci. Ushtria ka mbështetur opozitën në zgjedhje dhe, pa sjellë asnjë provë, ka thënë se zgjedhjet janë përcjellë me mashtrime.

Ushtria ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë një vit dhe se pastaj do të mbahen zgjedhje të reja.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG