Ndërlidhjet

Kafshët endacake në Rusi, paguajnë me jetë mbajtjen e Kampionatit Botëror


Një nga qentë për të cilët kujdeset aktivistja Lyudmila Yevdokimova.

Më shumë se 1 milion persona kanë nënshkruar një peticion online, duke i kërkuar Qeverisë ruse të anulojë përpjekjet për “eliminimin” e maceve dhe qenve endacakë, në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Botëror të Futbollit që mbahet gjatë këtij viti.

“Nuk jemi duke kërkuar shumë. Vetëm bëni atë çfarë bëjnë vendet e tjera dhe nuk do të ketë gjakderdhje”, thuhet në peticion.

Peticioni është publikuar në fund të muajit janar, pasi aktivistja ruse për të drejtat e kafshëve, Yekaterina Dmitriyeva, ka kuptuar për projektet tenderuese të qeverisë për “zgjidhjen” e problemit të kafshëve endacake në disa qytete ku do të zhvillohen ndeshjet dhe të cilat pritet të vizitohen nga më shumë se 1 milion turistë.

“Unë, personalisht, kam gjetur 110 milionë rubla [të këtyre tenderëve]. Kjo shumë është gjysmë milioni euro për 11 qytete, në të cilat do të mbahen ndeshjet për Kupën e Botës apo kampet e trajnimit”, ka thënë Dmitriyeva, e cila udhëheq një organizatë joqeveritare të quajtur Fondacioni për Mbrojtjen e Kafshëve Urbane.

“Në Jekaterinburg, për shembull, janë ndarë 32 milionë. Kjo është një shumë e madhe ... Me këto para, ata mund të paguajnë për t’i sterilizuar, vaksinuar dhe për t'u kujdesur për këto kafshë. Por, ata preferojnë t'i vrasin ", ka thënë ajo.

Zbulimi i këtyre tenderëve ka ardhur vetëm pak ditë pasi ministri i Sportit, Pabel Kolobov, ka siguruar komitetin e Dumës së Shtetit se Qeveria do të “anashkalonte masat, të cilat mund të nxisnin reflektim negativ në media apo të interpretoheshin si mizori ndaj kafshëve”.

Më 11 janar Qeveria ruse ka urdhëruar qytetet mikpritëse të krijojnë “strehimore të përkohshme” për kafshë të rrugës, mirëpo nuk është ndarë asnjë shumë e parave për ndërtimin e tyre.

Më 7 shkurt, zëvendëskryeministri, Vitaly Mutko, ka organizuar një takim për diskutuar për këtë çështje, ku ishte ftuar edhe Dmitriyeva.

Ajo ka thënë se Mutko ka pretenduar se problemi i mizorisë ndaj kafshëve është zgjidhur pas raportimeve të medieve për raste të tilla në kohën e mbajtjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi, më 2014.

Kur ajo i ka treguar Mutkos tenderët zyrtarë që ka gjetur online, ai është dukur i befasuar, mirëpo nuk ka premtuar ndonjë masë konkrete.

Kampionati për Kupën e Botës 2018, do të mbahet nga 14 qershori deri më 15 korrik.

Për të plotësuar tenderët, fituesit ndonjëherë angazhojnë persona, të cilët e shijojnë procesin e vrasjes së kafshëve endacake, dhe njihen si dogkhantery (gjuetarët e qenve).

Gazetari Andrei Timeskov, nga Shën Petersburgu dhe udhëheqës i grupit për mbrojtjen e kafshëve “Bota e Këndshme”, ka kaluar vite duke gjetur dhe ekspozuar gjuetarët e qenve, të cilët shpesh shkruajnë për aktivitetet e tyre në mënyrë unanime në forume online.

Për këtë arsye, ai është kërcënuar disa herë, ndërsa së fundidisa persona ia kanë shkatërruar kutinë e postës.

“Ky nuk ka qenë sulmi i parë, ndoshta i gjashti apo shtati”, i ka thënë Timeskov Radios Evropa e Lirë.

“Njëherë e kanë helmuar qenin tim pak para ditëlindjes sime më 21 shtator. Njerëzit mendojnë se ekziston një ligj në Rusi i cili parasheh ndëshkimin e gjuetarëve të qenve. Mirëpo, kjo nuk ka qenë e vërtetë kurrë”.

Sipas tij, dy deputetë të Dumas, kanë propozuar disa amendamente për Ligjin e mizorisë ndaj kafshëve, në të cilin përjashtohen gjuetarët e qenve.

“Mendoj se amendamenti është shkruar pikërisht për përgatitjet e Kupës së Botës, në mënyrë që t’i ndihmojnë gjuetarët e qenve të qëllojnë dhe vrasin kafshët e pastreha në qytetet, të cilat me rregulla administrative e ndalojnë një gjë të tillë”, ka thënë Timeskov.

Një aktiviste në Samara, Lyudmila Yevdokimova, ka thënë se kujton një rast që ka ndodhur në qytetin e saj më 2015, në të cilin ka qenë i përfshirë një gjuetar i qenve i quajtur, Aleksandr Sergeyev.

Një grua e këtij qyteti, 63-vjeçarja Lyudmila Safonova, ka tentuar ta ndalojë burrin derisa ai ishte duke vrarë një qen me thikë.

Kur ajo ka tentuar të intervenojë, ai e ka therur gruan 12 herë me thikë, duke e lënë të vdekur.

Më vonë, gjykata e ka cilësuar atë “jo përgjegjës” për shkak të arsyeve psikologjike dhe e ka dënuar atë vetëm me detyrim të trajtimit.

“Lyudmila e ka dhënë jetën për ta shpëtuar një qen”, ka thënë Yevdokimova.

Ajo ka thënë se burri i Safanovës i ka treguar se familja e Sergeyevit, i ka ofruar 2 milionë rubla për ta ndaluar rastin në gjyq.

Mirëpo, kur ai ka refuzuar shumën, familjarët e Sergeyevit i kanë thënë se “nëse nuk i merrni ju, do t’i marrë dikush tjetër”.

Aktivisti nga Shën Petersburgu, Timeskov ka thënë se ai nuk sheh ndonjë kundërshti në mes të veprimeve brutale të Qeverisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka simpati për kafshët, sidomos për qentë.

“Nuk ka asnjë paradoks”, ka thënë Timeskov, duke shtuar se: “Edhe në mesin e personave që vrasin qentë, ka të atillë që i kanë këto kafshë në shtëpitë e tyre dhe i duan ato. Vrasësi serik i periudhës sovjetike, Andrei Chikatilo, ka mundur t’i trajtojë fëmijët e tij me shumë kujdes dhe të njëjtën kohë të vrasë dhe dhunojë fëmijët e të tjerëve”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG