Ndërlidhjet

Kamberi thotë se është zgjedhur deputet i Kuvendit të Serbisë


Shaip Kamberi

Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, tha se është zgjedhur deputet i Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve që u përsëritën të enjten në fshatin Tërnovc.

Kamberi e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook, ndonëse konfirmim nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë nuk ka.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë mbajtur qysh më 3 prill, por rezultatet nuk janë certifikuar ende.

Kjo, për arsye të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc, si pasojë e disa parregullsive.

Votimet e së enjtes kanë qenë përpjekja e pestë.

Votat e Tërnovcit kanë qenë përcaktuese për përfaqësimin e pakicës shqiptare - me një deputet - në Kuvendin e Serbisë.

Në zgjedhjet e 3 prillit, shqiptarët e Luginës kanë garuar me dy lista - “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim - Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.

Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Serbi, në qershor të vitit 2020, partitë shqiptare kanë qenë në një koalicion dhe kanë fituar tri mandate parlamentare.

Kamberi ka qenë edhe në dy mandate të tjera deputet në Kuvendin e Serbisë.

XS
SM
MD
LG