Ndërlidhjet

Scholz viziton Kievin teksa rritet frika për një pushtim rus


Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritet të takohet në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në përpjekje për të shtensionuar krizën në mënyrë diplomatike.

Udhëtimi i Shcolz më 14 shkurt në Kiev do të pasohet nga një takim në Moskë më 15 shkurt me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ne presim urgjentisht shenja të uljes së tensioneve nga Moska”, shkroi në Twitter Scholz teksa u nis për në Kiev dhe shtoi se veprimi ushtarak do të kishte “pasoja shumë serioze” për Rusinë.

“Ne jemi dëshmitarë të kërcënimit shumë, shumë serioz të paqes në Evropë”, shkroi Scholz.

Scholz tha më 13 shkurt se anëtarët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian veçse kanë përgatitur “në mënyrë të kujdesshme” sanksione të ashpra, që “ne mund t’i vëmë në fuqi menjëherë” në rast të një pushtimi të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara thanë më 13 shkurt se tani besojnë se numri i trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës është rritur nga 100,000 në 130,000.

Zelenskiy zhvilloi një bisedë telefonike më 13 shkurt me presidentin amerikan, Joe Biden. Dy liderët theksuan rëndësinë e ndjekjes së “rrugës diplomatike dhe parandalimit të grumbullimit ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë pas kësaj bisede.

Biden ka ripërsëritur zotimin e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe është zotuar për një “përgjigje të shpejtë” në rast të “agresionit të mëtejmë rus ndaj Ukrainës”.

Zyra e Zelenskiyt tha se presidenti ukrainas e ka ftuar Bidenin që ta vizitojë Kievin “në ditët në vijim”.

“Jam i bindur se vizita juaj në Kiev në ditët në vijim... do të ishte një sinjal i fuqishëm dhe do të ndihmonte në stabilizimin e situatës”, citohet të ketë thënë Zelenskiy, sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e tij.

Biseda ndërmjet Zeleskiyt dhe Bidenit erdhi në kohën kur fuqitë perëndimore po i bëjnë thirrje Putinit që të ulë tensionet, teksa disa shtete u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Kievi, pas frikës se Moska mund të jetë në prag të ndërmarrjes së veprime ushtarake ndaj Ukrainës.

XS
SM
MD
LG