Ndërlidhjet

Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka vetëm dy kardiokirurg. Përkundër mungesës së madhe të resurseve njerëzore në këtë klinikë, ky shërbim po funksionon 24 orë në ditë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë kryer 75 operacione në zemër.

Zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu i tha Radios Evropa e Lirë se përkundër operacioneve të kryera brenda kësaj klinike, lista e pritjes vazhdon të jetë e gjatë, për shkak të mungesës së resurseve humane.

Në shërbimin e kardiokirurgjisë në këtë gjashtëmujor janë kryer 75 operacione, përderisa në total (për vitet 2015 - 2017) numri i operacioneve deri tani në këtë shërbim ka arritur në 215”.

Nga statistikat e deritanishme, vërehet shtim i dukshëm i vëllimit të punës në këtë shërbim, ngase në vitin 2015, ishin kryer vetëm 28 operacione. Më 2016, tërë vitin 112 sosh, përderisa vetëm në këtë gjashtëmujor, siç u theksua më lartë, janë kryer 75 operacione”, tha Fazliu.

Kjo klinikë, nga tetori i vitit 2015 është funksionalizuar në tërësi, pas shumë problemeve që e kanë përcjellë deri në kompletimin e klinikës dhe stafit.

Në Ministrinë e Shëndetësisë (në Qeverinë në largim të Kosovës), thonë se operacionet në zemër që janë kryer prej funksionalizimit të kësaj klinike, buxhetit të shtetit ia kanë kursyer mbi 2.5 milionë euro.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri thotë se problemet fillestare kanë qenë rreth kompletimit të stafit, pasi që pagat dhe kushtet që ofron QKUK-ja, nuk kanë qenë të pranueshme nga kardiokirurgët që të punojnë aty.

Por më pas, dy prej tyre kanë pranuar, dhe tashmë kjo klinikë po funksionon. Ata për një kohë të shkurtër kanë kryer 215 operacione dhe nëse kthehen në të holla që pacientët do të kryenin këto shërbime jashtë vendit, shtetit do t’i kushtonte mbi 2.5 milionë euro”, thekson Hoti.

Në anën tjetër, zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu tha se buxheti për Klinikën e Kardiokirurgjisë është i mangët, meqë shërbimet për kryerjen e operacioneve në zemër, janë të kushtueshme.

Ka listë të pritjes të rasteve jo emergjente, por nevojitet të rritet furnizimi me barna dhe material shpenzues për këtë klinikë, pasi që buxheti kufizon mundësit për kryerjen e një numri të caktuar të operacioneve në kuadër të këtij shërbimi”, tha Fazliu

Zyrtarë shëndetësorë thonë se nga tetori i vitit 2015, kur edhe ka filluar punën intensive Klinika e Kardiokirurgjisë, kanë përfituar edhe specializantët, të cilët kanë pasur mundësi të edukohen brenda institucionit dhe duke qenë nga afër pjesë e këtij shërbimi.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG