Ndërlidhjet

Katër shtete arabe shkëputën marrëdhëniet diplomatike me Katarin


Vendimi për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, ka ardhur pas mbështjetjes së supozuar të Katarit ndaj grupeve islamike dhe marrëdhënieve të afërta me Iranin.

Pas një koordinimi, Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë njoftuar se do të tërheqin stafin diplomatik dhe do të shkëpusin të gjitha kontaktet me Katarin.

Ky vendim do ta izolojë Katarin, në të cilin gjendet një bazë e madhe ushtarake amerikane.

Vendet e Gjirit Persik e shohin Katarin si shumë të afërt me Iranin dhe lëvizjet islamike siç është Vëllazëria Myslimane.

Të gjitha vendet kanë planifikuar që të ndërprejnë trafikun në tokë, det dhe ajër me Katarin, kurse vizitorëve nga ky vend u është dhënë dy javë kohë për t’u larguar.

Arabia Saudite e ka akuzuar Katarin për mbështetje “të disa grupeve terroriste” përfshirë Vllazërinë Myslimane, Shtetin Islamik dhe Al-Qaeda.

Pamje e zonës diplomatike të Katarit.
Pamje e zonës diplomatike të Katarit.

Një një kumtesë të përcjellur nga agjencia shtetërore e lajmeve saudite, Katari u akuzua edhe për mbështetje të atyre që u quajtën si militantë iranianë në Arabinë Saudite dhe Bahrein.

Bahrein ka deklaruar se vendimi i tij ishte rezultat i "nxitjes së medias nga ana e Katarit, mbështetja në aktivitetet terroriste dhe financimi i grupeve iraniane për të përhapur kaos në Bahrein".

Ministria e Jashtme e Egjiptit ka shtuar se "kanë dështuar të gjitha përpjekjet për të ndaluar Katarin nga mbështetja e grupeve terroriste".

Emiratet e Bashkuara e kanë akuzuar kryeqytetin e Katarit, Doha, për “mbështetje, financim dhe përqafimin e terrorizmit dhe ekstremizmit", ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke shtuar se, Abu Dabi u ka dhënë diplomatëve të Katarit 48 orë për t'u larguar nga vendi.

Linja ajrore kombëtare e Emirateve, Etihad Airways ka njoftuar se do të pezullojë të gjitha fluturimet për në dhe nga Doha nga dita e nesërme deri në njoftimin e rradhës.

Ministria e Jashtme e Katarit ka shprehur keqardhje duke thënë se vendimi është i bazuar në supozime të pabazuara”.

Televizioni Al-Jazeera me seli në Katar, ka cituar ministrinë e cila ka thënë se vendimet "nuk do të ndikojnë në jetën normale të qytetarëve dhe banorëve".

Sekretari i Shteteve të Bashkura, Rex Tillerson, u bëri thirrje shteteve të Gjirit të qëndrojnë të bashkuar dhe të diskutojnë dallimet e tyre.

"Ne sigurisht që do t'i inkurajojmë palët të ulen së bashku dhe t'i trajtojnë këto dallime," ka thënë Tillerson.

Ai po ashtu ka thënë se nuk beson që kriza diplomatike do të ndikojë në fushatën ushtarake kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Katari është vendi ku vepron Komanda Qendrore e ushtrisë së SHBA-së me rreth 10,000 trupa amerikane.

Në Teheran, një zyrtar i lartë iranian ka thënë se vendimi për të shkëputurmarrëdhëniet diplomatike me Katarin nuk do të ndihmojë në përfundimin e krizës në Lindjen e Mesme.

Zëvendës shefi i stafit të presidentit të Iranit, Hamid Aboutalebi, ka thënë përmes Twitterit se "epoka e prishjes së marrëdhënieve diplomatike dhe mbylljes së kufijve ... nuk është mënyrë për të zgjidhur krizën”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG