Ndërlidhjet

Blinken: Kërcënimi nga terrorizmi është zhvendosur nga Afganistani


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e mbrojti vendimin e SHBA-së për të tërhequr trupat nga Afganistani, duke thënë se kërcënimet nga terrorizmi janë zhvendosur gjetkë dhe se SHBA-ja duhet t’i përqendrojë “energjitë dhe burimet e saj” në çështje të tjera të rëndësishme, si pandemia COVID-19 dhe ndryshimet klimatike.

“Kërcënimi i terrorizmit është zhvendosur në vende të tjera dhe ne kemi çështje të tjera, shumë të rëndësishme, në agjendën tonë”, tha Blinken për televizionin ABC.

Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi më 14 prill se Shtetet e Bashkuara do t’i tërheqin të gjitha forcat e tyre nga Afganistani, para 11 shtatorit.

Tërheqja vjen pavarësisht bllokimit të bisedimeve të paqes midis Qeverisë afgane dhe grupit militant të talibanëve.

Kundërshtarët e tërheqjes amerikane këtë vit thonë se ky veprim mund ta zhysë Afganistanin më thellë në dhunë dhe t'i lërë Shtetet e Bashkuara më të cenueshme ndaj kërcënimeve terroriste.

Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë rreth 2,500 trupa në Afganistan.

NATO-ja njoftoi se 7,000 ushtarët e saj joamerikanë në Afganistan do të largohen po ashtu nga ky vend, brenda disa muajsh.

NATO, e udhëhequr nga SHBA-ja, ka ndërhyrë ushtarakisht në Afganistan në vitin 2001, pak javë sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.

Që nga ajo kohë, mbi 2,300 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në luftën në Afganistan.

XS
SM
MD
LG