Ndërlidhjet

Dhoma e Përfaqësuesve sërish dështon të zgjedhë kryetarin e ri


Republikani Kevin McCarthy gjatë ditës së parë të votimeve për zgjedhjen e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve.
Republikani Kevin McCarthy gjatë ditës së parë të votimeve për zgjedhjen e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve as në ditën e dytë nuk kanë arritur të zgjedhin Kevin McCarthy në postin e kryetarit.

Në votimet që u mbajtën të mërkurën McCarthy nuk hoqi dorë nga gara, por dështoi që të zgjidhej në rundin e katërt, të pestë dhe të gjashtë. Republikanët dhe demokratët nuk arritën as të pajtoheshin që të shtynin votimin për një natë tjetër, duke shkaktuar konfuzion.

Po ashtu, as të martën republikanët nuk arritën që në tri rundet e para të zgjidhnin kryetarin e ri, edhe pse ata kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ende nuk ka marrëveshje”, tha McCarthy teksa u largua nga një takim me republikanët. “Por, ka shumë përparim”, shtoi ai.

Megjithatë, gjatë votimeve nuk u panë shenja të përparimit. Gjatë rundeve të votimit, rezultati ishte pothuajse i njëjtë, me 20 ligjvënës konservatorë që refuzuan ta mbështesin McCarthyn. Atij i duhen 2018 vota për t’u zgjedhur në krye të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë votimeve të mërkurën mbrëma, mbështetja për McCarthyn ra në 201 vota, pasi disa republikanë zgjodhën që të mos votonin për të.

Duke parë se nuk kanë marrëveshje, republikanët votuan që ta shtynin sërish për disa orë votimin teksa po tentojnë që të arrijnë ujdi për t’i dhënë fund kaosit të shkaktuar në Dhomën e Përfaqësuesve. Ata dëshironin që të ktheheshin sërish për të votuar, por McCarthy kërkoi pushim deri të enjten.

“Mendoj se njerëzit duhet të punojnë edhe më pak. Nuk mendoj se votimet sonte do të bëjnë ndonjë dallim. Por, votimet në të ardhmen munden”, tha ai.

McCarthy, republikan nga Kalifornia, luftoi që të siguronte mbështetjen përmes takimeve të mbyllura me ligjvënësit republikanë.

Zgjedhja e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve është kyçe, pasi pa u zgjedhur ai nuk mund të betohen anëtarët e rinj të Dhomës, të formohen komitete, të çohen përpara ligje e as të hetohet administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.

Për zgjedhjen e kryetarit të ri duhen 218 vota nga 435 ligjvënës sa ka Dhoma.

McCarthy u bë kandidati i parë në 100 vjet që nuk arriti të zgjidhet kryetar i Dhomës në votimin e parë, pavarësisht se partia e tij ka shumicën.

Gjatë zgjedhjeve të mesmandatit, republikanët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomë, 222-212.

Presidenti amerikan, Joe Biden, teksa po nisej për një ngjarje në Kentuki, tha se “e gjithë bota po shikon” se çfarë po ndodh në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Mendoj se është e turpshme që po zgjat kaq shumë”, tha Biden. “Nuk e kam idenë” se kush do të fitojë, shtoi presidenti amerikan.

McCarthy për dy muaj të tërë ka negociuar me disa përfaqësues republikanë për të marrë mbështetjen e tyre. Ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre në këmbim të votave, por McCarthy i ka refuzuar ato.

"Në dy muajt e fundit ne kemi punuar së bashku për të zhvilluar rregulla që fuqizojnë të gjithë anëtarët, por ne nuk fuqizojmë anëtarë të caktuar mbi të tjerët", u tha McCarthy gazetarëve të martën.

Hera e fundit që Dhoma e Përfaqësuesve nuk zgjodhi kryetarin në votimin e parë ishte viti 1923, kur votimet zgjatën në nëntë runde votimi. Edhe atëbotë republikanët kishin shumicën në Dhomë.

XS
SM
MD
LG