Ndërlidhjet

KFOR-i thotë se posedon mjetet e duhura për të penguar dhunën në veri


Pjesëtarë të KFOR-it në Jarinjë. 18 dhjetor 2022.
Pjesëtarë të KFOR-it në Jarinjë. 18 dhjetor 2022.

KFOR-i thotë se beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjellja agresive në veri për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë, është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim, duke shtuar se është përgjegjësi e të gjithëve që të garantojnë sigurinë kolektive të rajonit.

Kështu thuhet në njoftimin për media të 21 dhjetorit, të këtij misioni.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, deklaroi se KFOR-i ruan aftësitë dhe mjetet e duhura për të parandaluar dhunën në rajon dhe për të siguruar që ekzistojnë kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejmë politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të ecur përpara, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.

KFOR-i thotë se ka shtuar praninë në pikëkalimin kufitar n Jarinjë.

“Ky shtim ishte i nevojshëm, duke pasur parasysh raportimet e fundit për praninë e supozuar të mundshme të grupeve të organizuara kriminale që ishin përfshirë në protesta”, thuhet në njoftim.

Më 18 dhjetor, në anën serbe afër Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë – është mbajtur një protestë e thirrur nga grupe djathtiste serbe, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës.

Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në Jarinjë dhe Bërnjak, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Misioni i NATO-s thotë që nuk raportohet për të lënduar dhe se “tensionet janë ulur” për shkak të koordinimit ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë dhe udhëheqjes së KFOR-it.

Në njoftim përmenden edhe stërvitjet e të fundit ushtarake, të mbajtur më 19 dhjetor, afër bazës që ka në Novosellë. Këto stërvitje u zhvilluan për të trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes, duke përdorur mjetet në dispozicion (automjete të rënda logjistike dhe mjete inxhinierike).

"Për shkak të kompleksitetit të mjedisit aktual operativ, është thelbësore që këto sisteme dhe aftësi të testohen pasi ato zbusin rrezikun kolektiv nëse marrëveshjet e ardhshme politike nuk mund të përmbushen".

"Ka shumë aktorë në terren të përkushtuar për të bërë përparim, por KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë, nëse është e nevojshme, por ne parandalojmë përshkallëzimin në përputhje me mandatin tonë të OKB-së", thuhet në njoftim.

Së fundi, autoritetet serbe i kanë dërguar kërkesë KFOR-it për angazhimin e deri në 1.000 pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

KFOR-i e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë pranimin e kërkesës dhe ka thënë se është “duke e shqyrtuar atë”.

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.

XS
SM
MD
LG