Ndërlidhjet

Kim Jong-un: K.Veriore është e gatshme të mobilizojë forcat bërthamore


Lideri verikorean, Kim Jong-un me stafin e tij. Fotografi nga arkivi.

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm që të mobilizojë forcat bërthamore.

Duke folur në një ngjarje të organizuar në përvjetorin e Luftës Koreane, Kim ka thënë se Koreja Veriore është “plotësisht e gatshme për çfarëdo përballjeje ushtarake”, me Shtetet e Bashkuara, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Përgjatë fjalimit, Kim ka thënë se kërcënimet bërthamore nga SHBA-ja, bëjnë që Koreja Veriore të kryejë “detyrën historike urgjente” të forcimit të mbrojtjes.

Sipas tij, SHBA-ja ka keqinterpretuar stërvitjet e rregullta ushtarake të Koresë Veriore duke i quajtur provokime.

Këto komente u bënë në kohën e rritjes së shqetësimeve se Koreja Veruore mund të jetë duke u përgatitur për testimin e shtatë bërthamor.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Pheniani mund të kryejë një test të tillë kurdo.

Testimi i fundit bërthamor i verikoreanëve është kryer më 2017.

Megjithatë, tensionet janë në rritje e sipër në Gadishullin Korean.

Përfaqësuesi special i SHBA-së për Korenë Veriore, Sung Kim, ka thënë se Koreja Veriore ka kryer testime të pashembullta të raketave këtë vit – 31, në krahasim me vitin 2019 kur ka testuar një numër rekord prej 25 raketash.

Në muajin qershor, Koreja Jugore është përgjigjur duke lansuar tetë raketa.

Ndonëse Lufta Koreane e periudhës 1950-1953 ka përfunduar me armëpushim, Koreja Veriore e konsideron atë si fitore kundër SHBA-së.

Festimet vjetore për “Ditën e Fitores” shënohen me parada ushtarake, fishekzjarre dhe vallëzime.

Më 2018, Kim Jong-un ka zbatuar një moratorium për raketat balistike me rreze të gjatë veprimi, si dhe për testet bërthamore, pas bisedimeve që ka zhvilluar me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Mirëpo, më 2020, Kim ka njoftuar se nuk do ta zbatojë më atë premtim.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë vazhdimisht se është e gatshme të rinisë bisedimet, pa parakushte, mirëpo Koreja Veriore ka treguar pak interesim, duke kërkuar që fillimisht të hiqen sanksionet.

XS
SM
MD
LG