Ndërlidhjet

Kim thotë se do t’i ndërpresë testet bërthamore dhe lëshimin e raketave


Kim Jong Un
Kim Jong Un

Lideri veri-korean, Kim Jong Un, thotë se do t’i ndërpresë testet e armëve bërthamore, të raketave balistike, si dhe do ta mbyllë një vend ku testohen armët bërthamore, ka njoftuar agjencia e lajmeve jugkoreane, Yonhap.

“Nga 21 prilli, Koreja e Veriut do t’i ndërpresë testet bërthamore dhe lansimet e raketave balisitike interkontinentale”, citon agjencia Yonhap raportimet e medias shtetërore të Koresë së Veriut.

“Veriu do të mbyllë një vend për testimet bërthamore që gjendet në veri të shtetit për të dëshmuar zotimin për suspendimin e testeve bërthamore”, citohet të ketë raportuar agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Këto njoftime nga Koreja e Veriut u bënë të ditura më pak se një javë para se Kim të takohet me liderin e Koresë së Jugut Moon Jae-in, në një samit në Zonën e Demilitarizuar në mes të dy shteteve. Kim, po ashtu, pritet, që në një të ardhme të afërt të takohet edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.

Agjencia KCNA, gjithashtu, tha se Koreja e Veriut do t’u bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërprerë plotësisht testet bërthamore.

“Pasi pajisja me armë bërthamore është verifikuar, nuk është e nevojshme që ne të kryejmë më shumë teste bërthamore apo të lansojmë raketa balisitike me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi”, citohet të ketë thënë Kim gjatë një takimi me partinë në pushtet, sipas agjencisë KCNA.

“Testet bërthamore të Veriut kanë kryer misionin e tyre”, citohet të ketë thënë tutje lideri verikorean.

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi në Twitter pas këtyre zhvillimeve. Ai tha se njoftimi i Phenianit është “një progres i madh”, duke shtuar se “është lajm shumë i mirë për Korenë e Veriut dhe për botën”.

Qeveria britanike, ndërkaq tha se shpreson se kjo lëvizje nënkupton përpjekje për të zhvilluar negociata në mirëbesim.

“Një angazhim afatgjatë nga Kim Jong Un për të ndërprerë të gjitha testet bërthamore dhe lansimin e raketavedo të ishte një hap pozitiv. Ne shpresojmë që kjo nënkupton një përpjekje për të negociuar në mirëbesim”, thuhet në deklaratën e Qeverisë britanike.

“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të punuar me partnerët tanë ndërkombëtar për të arritur qëllim tonë, që është denulearizimi i plotë në gadishullin Korean dhe që kjo të bëhet përmes mjeteve paqësore”, thuhet tutje në deklaratë.

Aleati kryesor i Phenianit, Kina, që ka qenë e frustruar nga zhvillimi i armëve bërthamore, ka mirëpritur këtë njoftim, duke thënë se do të ulë tensionet dhe do të promovojë denuklearizimin.

“Pala kineze beson se vendimi i Koresë së Veriut do të ndihmojë në përmirësimin e situatës në gadishull”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lu Kang.

Megjithatë, Japonia tha se nuk është e kënaqur me njoftimin e Koresë së Veriut, duke shtuar se do të vazhdojë presionin politik ndaj Phenjanit, derisa Koreja e Veriut të zotohet për “heqjen dorë nga armët e shkatërrimit në masë, të armëve dhe raketave bërthamore”.

“Nuk mund të jemi të kënaqur”, u tha gazetarëve në Uashington, ministri i Mbrojtjes, Itsunori Onodera.

Tensionet janë rritur ndërmjet Koresë së Veriut, SHBA-së, Koresë së Jugut, Japonisë dhe shteteve të tjera, mbi testimet e armëve bërthamore dhe raketave balistike nga Veriu. Këto testime janë në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Pamje nga lansimi i raketës nga Koreja e Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

(Video: Pamje nga lansimi i një rakete të Koresë së Veriut. Nëntor, 2017)

Më 2017, Koreja e Veriut ka kryer teste të raketave balistike, duke thënë se raketat e saj kanë aftësi që të godasin territorin e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga ekspertët perëndimorë.

Koreja Veriore thotë se do ta sulmojë Guamin gjatë këtij muaji
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

(Video: Paralajmërimet e Koresë së Veriut se mund të sulmojë territorin amerikan të Guamit me raketa interkontinentale. Gusht, 2017)

SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe të tjerët, kanë vendosur sanksione financiare ndaj Koresë së Veriut.

Pheniani së fundmi ka bërë disa komente, që kanë ngritur shpresat për një zgjidhje të krizës.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG