Ndërlidhjet

Kina dënon deklaratën e grupit G7


Nga samiti i G7-ës javën e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar...
Nga samiti i G7-ës javën e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar...

Ambasada e Kinës në Londër e dënoi një deklaratë të grupit të vendeve më të industrializuara (G7), duke e cilësuar si “ndërhyrje bruto” në punët e brendshme të Kinës.

G7 e akuzoi Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut në Ksinjiang dhe Hong Kong.

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur fjalën gjenocid për të përshkruar trajtimin e ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në Ksinjiang.

G7 duhet të bëjë më shumë për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të mos krijojë artificialisht konfrontime dhe fërkime, tha Ambasada e Kinës në Londër.

Deklarata e akuzoi G7-ën për “gënjeshtra, thashetheme dhe pretendime të pabazuara”.

“G7 përfiton nga çështjet e lidhura me Ksinjiangun për t'u përfshirë në manipulime politike dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës”, tha një zëdhënës i Ambasadës.

Kina besohet se ka ndaluar më shumë se një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në rajonin Ksinjiang.

Shumica e tyre dërgohen në të ashtuquajturat kampe “riedukimi”, ku mbahen për kohë të pacaktuar dhe pa ndonjë akuzë.

Kina fillimisht e ka mohuar ekzistencën e kampeve, ndërsa ma vonë ka thënë se ato janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin.

Kina i ka hedhur poshtë akuzat për abuzime me të drejta të njeriut.

Hong Kongu, në anën tjetër, është pjesë e Kinës, por funksionin nën kornizën “një vend, dy sisteme”, çfarë do të thotë se ai e ka sistemin e tij ligjor.

Shumë në Hong Kong, por edhe në Perëndim, e akuzojnë Pekinin për shkatërrimin e autonomisë së rajonit në vitet e fundit.

XS
SM
MD
LG