Ndërlidhjet

Lajme

Kina përsërit kërcënimet për sulm ndaj Tajvanit

Helikopterët ushtarakë të Kinës pranë Tajvanit. Fotografi nga arkivi.
Helikopterët ushtarakë të Kinës pranë Tajvanit. Fotografi nga arkivi.

Kina ka përsëritur kërcënimet e saj për të sulmuar Tajvanin dhe ka paralajmëruar se politikanët e huaj, që ndërveprojnë me ishullin vetëqeverisës, po “luajnë me zjarr”.

Zëdhënësi i Zyrës së Kinës për Çështje të Tajvanit tha se shteti ka përsëritur përkushtimin se “do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe se “do të prishë planet për pavarësinë e Tajvanit”.

Ky ishull vetëqeverisës është ndarë nga Kina më 1949.

“Mbështetja dashakeqe për pavarësinë e Tajvanit midis elementeve anti-Kinë në disa shtete të huaja, është një provokim i qëllimshëm”, tha Ma Xiaoguang gjatë një konference për media.

Kina e sheh Tajvanin si pjesë të saj dhe thotë se duhet të jetë nën kontrollin e Pekinit. Për të arritur këtë qëllim, Kina nuk ka përjashtuar as përdorimin e forcës.

Muajt e fundit, në Tajvan kanë qëndruar politikanë të huaj, përfshirë edhe tashmë ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, por edhe disa politikanë nga Bashkimi Evropian. Këto vizita janë shoqëruar me shfaqjen e forcës nga të dyja palët.

Këtë javë, ushtria e Tajvanit tha se po mban stërvitje që synojnë të sigurojnë publikun për aftësinë e shtetit për t’iu kundërvënë kërcënimeve të Kinës.

“Gjëja më e rëndësishme është që të mbajmë sigurinë në hapësirën ajrore dhe sigurinë kombëtare”, tha lejtnantëkoloneli i forcave ajrore të Tajvanit, Wu Bong-yeng.

Kina është përgjigjur ndaj vizitave të diplomatëve të huaj duke mbajtur stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, që disa i kanë parë si përgatitje për pushtim. Pekini pothuajse në baza ditore dërgon avionë dhe luftanije drejt Tajvanit dhe shpesh ka kaluar edhe vijën prej 160 kilometrash në Ngushticën e Tajvanit që i ndan dy palët.

XS
SM
MD
LG