Ndërlidhjet

Kina nuk e përjashton përdorimin e forcës për të rikthyer Tajvanin


Presidenti i Kinës, Xi Jinping

Janë ashpërsuar deklaratat ndërmjet Kinës dhe Tajvanit, përderisa presidenti kinez nuk e ka mohuar përdorimin e forcës ndaj Tajvanit.

“Kina mban të drejtën për të përdorur forcën në mënyrë që ta vë nën kontrollin e saj Tajvanin, por do të përpiqet të arrijë një ‘ribashkim’ paqësor me ishullin e vetëqeverisur, i cili ka një të ardhme të ndritur nën sundimin kinez”, tha të mërkurën presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Tajvani është çështja me e ndjeshme për Kinës derisa e konsideron territorin e tij si të shenjtë.

Presidenti Xi e ka rritur presionin mbi ishullin e Tajvanit që kur presidente e tij u bë Tsau Ing-Wen nga partia Progresiste Demokratike, që mbështet pavarësinë nga Kina.

Xi bëri një të arritur të madhe personale, në atë që Partia Komuniste e quan “çështjen e Tajvanit” duke mbajtur një takim historik me ish- presidentin e Tajvanit Ma Ying- Jeou, në Singapor në fund të vitit 2016, pak kohë para se të zgjidhej presidenti i ri.

Presidenti kinez foli të mërkurën në një ceremoni në 40-vjetorin e një deklarate kyçe për Tajvanin.

Ai tha se “ribashkimi” duhet të bëhet sipas parimit në të cilin Kina e pranon Tajvanin si pjesë të saj. Shumica dërrmuese e popullsisë së Tajvanit janë të qartë se pavarësia e Tajvanit do të çonte në një "fatkeqësi të rëndë", tha Xi për një audiencë që përfshinte njerëz të biznesit të Tajvanit dhe zyrtarë të lartë të partisë.

"Kina nuk do të sulmojë njerëzit kinezë. Ne jemi të gatshëm që me sinqeritetin më të madh të punojmë shumë për të luftuar për perspektivën e ribashkimit paqësor ", tha Xi.

"Ne nuk premtojmë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe nga e drejta për të përdorur të gjitha masat e nevojshme për të arritur këtë qëllim dhe për të parandaluar pavarësinë e Tajvanit”, tha ai.

Kjo, megjithatë, kishte si synim forcat e huaja që kërkonin të ndërhynin dhe ndikonin minoritetin e vogël të forcave të pavarësisë së Tajvanit dhe aktivitetet e tyre, tha Xi. Ai nuk e shtjelloi më shumë por deklarata ka të ngjarë të ishte një referencë ndaj Shteteve të Bashkuara si mbështetësit më të fortë të Tajvanit, raporton Reuters.

Ndërsa, Tajvani është i vetëqeverisur dhe de fakto i pavarur, kurrë nuk e ka deklaruar zyrtarisht pavarësinë nga Kina.

Pekini e konsideron ishullin si një provincë të shkëputur dhe komentet e presidentit Xi janë në përputhje me politikën e gjatë të Kinës ndaj ribashkimit.

Njerëzit në Tajvan "duhet të kuptojnë se pavarësia do të sjellë vështirësi", tha Xi, duke shtuar se Pekini kurrë nuk do të tolerojë ndonjë formë aktiviteti për të promovuar pavarësinë e Tajvanit.

Ndërkohë të martën presidentja e Tajvanit, Tsai Ing- Wen, tha se Pekini duhet të pranojë ekzistencën e Tajvanit dhe të përdorë mjete paqësore për të zgjidhur dallimet.

Kina duhet të "respektojë insistimin e 23 milionë njerëzve për liri dhe demokraci”, tha ajo.

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen
Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen

Ajo shtoi se ndërhyrja kineze në zhvillimin politik dhe shoqëror të Tajvanit ishte "sfida më e madhe e vendit për momentin".

Në vitet e fundit Kina është bërë gjithnjë e më këmbëngulëse në pretendimet e saj nga Tajvanin duke e quajtur si çështjen kryesore të sovranitetit të saj kombëtar, raporton BBC.

Pekini për shembull insiston që vendet tjera mund të kenë raporte diplomatike me Kinës ose Tajvanin dhe jo me të dyja në të njëjtën kohë.

Vitin e kaluar, ajo gjithashtu detyroi linjat ajrore dhe hotelet e huaja të listonin Tajvanin si pjesë të Kinës në faqet e tyre të internetit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG