Ndërlidhjet

Pse po i rrit shqetësimet qëndrimi i Kinës për luftën e Rusisë në Ukrainë?


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një takimi virtual me presidentin e Kinës, Xi Jingping, 30 dhjetor 2022.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një takimi virtual me presidentin e Kinës, Xi Jingping, 30 dhjetor 2022.

AP

Pothuajse një vit pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, tani po ngrihen dyshime të reja mbi gatishmërinë potenciale të Kinës për t’i ofruar Moskës ndihmë ushtarake në luftën që po vazhdon.

Në një intervistë që u publikua të dielën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se inteligjenca amerikane ka sugjeruar se Kina është duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me armatim për Rusinë. Ai tha se një përfshirje e tillë në luftën e Rusisë do të ishte “problem serioz”.

Kina ka refuzuar ta kritikojë Rusinë për veprimet e saj dhe, madje, nuk ka pranuar as ta quajë pushtim. Ndërkohë, ajo insiston se duhet të ruhet sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo vendi. Pyetja tani është se a do të jetë Kina e gatshme të kalojë nga mbështetja retorike në përkrahje materiale.

Më poshtë mund të lexoni se ku qëndron Kina në konfliktin Rusi-Ukrainë:

A e përkrahë Kina luftën e Rusisë në Ukrainë?

Kina ka mbajtur një qëndrim shpeshherë kontradiktor lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Kina thotë se Rusia ishte provokuar të ndërmarrë një veprim shkaku i zgjerimit të NATO-s. Vetëm pak javë para pushtimit të 24 shkurtit të vitit 2022, presidenti kinez, Xi Jingping, e priti presidentin rus, Vladimir Putin, në Pekin për hapjen e Lojërave Olimpike. Në atë kohë, dy palët kishin lëshuar një deklaratë të përbashkët ku u zotuan për miqësi “pa limite”. Që nga atëherë, Kina i ka injoruar kritikat e perëndimit dhe e ka ribërë këtë zotim.

Por, Kina ende nuk e ka konfirmuar vizitën që Putini ka thënë se e pret nga Xi këtë pranverë.

Kina është “duke tentuar ta mbajë mirë në dy anët”, tha Blinken të dielën për NBC-në. “Publikisht, ata e prezantojnë veten si shtet që kërkon paqe për Ukrainën. Por, privatisht, siç thashë, ne tashmë i kemi parë gjatë muajve të fundit masat e ndihmës jo vdekjeprurëse që ndihmojnë drejtpërdrejt luftën e Rusisë”.

A i ka ofruar Kina mbështetje materiale Rusisë?

Deri më tani, përkrahja e Kinës për Rusinë ka qenë retorike dhe politike, pasi që Pekini i ka penguar tentimet për ta dënuar Moskën në Kombet e Bashkuara.

Blinken, gjatë një konference në Munih të Gjermanisë, tha se SHBA-ja ka qenë e shqetësuar që një kohë të gjatë për ndihmën materiale që mund t’ia japë Kina Rusisë dhe se “ne kemi informata shqetësuese se ata janë duke e shqyrtuar mundësinë e ofrimit të përkrahjes vdekjeprurëse për Rusinë në luftën kundër Ukrainës”.

Kjo deklaratë ndodhi një ditë pasi Blinken zhvilloi bisedime me Wang Yi, zyrtarin më të lartë për politika të jashtme në Partinë Komuniste të Kinës, në një takim që nuk dha shpresa për përmirësime lidhur me luftën në Ukrainë.

“Ishte e rëndësishme për mua që ta ndaj qartazi me Wang Yi se një gjë e tillë do të ishte problem serioz”, tha Blinken, duke iu referuar mbështetjes ushtarake për Rusinë.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e ka shprehur gjithashtu shqetësimin e saj lidhur me përkrahjen potenciale që Kina mund t’ia japë Rusisë, duke thënë se kjo “do të ishte një vijë e kuqe”.

Forcat ruse dhe kineze kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake pas nisjes së luftës në Ukrainë. Së fundi, ata kishin dërguar anije për disa stërvitje me flotën e Afrikës së Jugut.

Çfarë ka thënë Kina lidhur me këtë çështje?

Pas takimit mes Wang dhe Blinken, ministri i Jashtëm i Kinës lëshoi një deklaratë ku thuhej se Kina gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv në konfliktin në Ukrainë duke u qëndruar besnike principeve të saj, duke inkurajuar paqe dhe negociata.

Ministri tha se partneriteti ndërmjet Rusisë dhe Kinës është i bazuar në principe kundër konfrontimeve dhe shënjestrimit të palëve të treta, ndërsa shtoi se SHBA-ja po i shtonte “benzinë zjarrit për ta shfrytëzuar rastin për përfitim”.

Pekini thotë se ka vazhduar marrëdhënien normale tregtare me Rusinë, përfshirë këtu blerjen e naftës dhe gazit, njëjtë si disa vende të tjera si India. Megjithatë, kjo tregti cilësohet si një ndihmë ekonomike për Moskën. Por, deri më tani nuk është evidentuar ndonjë rast i ndihmës së drejtpërdrejtë nga Kina për ushtrinë e Rusisë sikur rasti i Iranit me shitjen e dronëve.

Çfarë mund të ndodhë nëse Kina e ndihmon Rusinë?

“Me sa dimë ne, ata nuk e kanë kaluar këtë kufi ende”, tha Blinken për NBC të dielën.

Blinken nuk e specifikoi se çfarë masash mund të marrë SHBA-ja si kundërpërgjigje nëse Kina ndihmon materialisht Rusinë.

Për Kinën, problemi më i ndjeshëm është përkrahja e SHBA-së për Tajvanin, ishullin vetëqeverisës që Pekini e konsideron si territor të vetin që mund të merret në kontroll përmes forcave ushtarake nëse cilësohet e nevojshme.

Ndërkohë, anëtarët e Kongresit të SHBA-së kanë bërë thirrje për ndalimin e TikTok-ut dhe platformave të tjera të rrjeteve sociale në pronësi kineze, si dhe për rritje të sanksioneve ndaj firmave kineze të mbështetura nga Partia Komuniste, e cila posedon kontrollin përfundimtar mbi ekonominë kineze dhe shtyp mediat e pavarura dhe zërat opozitarë.

Përgatiti: Doruntina Baftiu
XS
SM
MD
LG