Ndërlidhjet

Xi dhe Bachelet flasin për të drejtat e njeriut në Kinë


Presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka biseduar më 25 maj me komisionaren e lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, vizita e së cilës në Kinë ka nxitur kritika nga grupet e të drejtave të njeriut, ndërkaq Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur gabim këtë vizitë.

Qëndrimi gjashtëditor i Bachelete në Kinë përfshin edhe vizitë në rajonin perëndimor të Ksinjiangut, ku sipas zyrës së saj, myslimanët ujgurë janë të ndaluar në mënyrë të kundërligjshme, po përballen me keqtrajtim dhe punë të detyrueshme.

Por, sipas raportimeve mediale lidhur me bisedën që u zhvillua përmes video-lidhjes ndërmjet Xi dhe Bachelete, nuk përmendet situata në Ksinjiang.

Xi i tha zyrtares së lartë të OKB-së se çdo shtet duhet të lejohet që të gjejë rrugën e vet bazuar në kushtet e veçanta dhe kritikoi shtetet e tjera për politizimin e çështjes së të drejtave të njeriut në vende të tjera.

“Përmes punës së palodhur afatgjatë, Kina ka hyrë me sukses në një rrugë të zhvillimit të të drejtave të njeriut që përputhet me trendin e kohës dhe i përshtatet kushteve të saj kombëtare”, tha Xi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve CCTV.

“Sa i përket çështjes së të drejtave të njeriut, nuk ka një ‘utopi’ perfekte”, citohet të ketë thënë Xi.

“Ne nuk na duhen shtete të tjera që diktojnë të tjerët, lëre më politizimin e çështjes së të drejtave të njeriut dhe shndërrimit të saj në një mjet, duke praktikuar standarde të dyfishta dhe duke në çështjet e brendshme të shteteve të tjera, nën pretekstin e të drejtave të njeriut”, shtoi lideri kinez.

CCTV citoi Bachelet të ketë thënë se “i admiroj përpjekjet e Kinës dhe arritjet në zhdukjen e varfërisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe arritjet në zhvillimin ekonomik dhe social”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha të martën se Uashingtoni nuk pret që Kina ta lejojë Bachelet të ketë një qasje të pamanipuluar për situatën në Ksinjiang.

Bachelet nisi vizitën e saj në Gaungzhou në juglindje të Kinës, ku u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Gjatë qëndrimit në Kinë ajo pritet të vizitojë Kashgarin dhe Urumqin, dy qytete në rajonin Ksinjiang.

Kina ka ndaluar mbi një milion ujgurë, kazakë, kirgizë dhe pakica të tjera myslimane në disa qendra ndalimi në Ksinjiang, rajon që kufizohet me Kazakistanin, Kirgizinë dhe Taxhikistanit. Pekini akuzohet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në këtë rajon, përfshirë edhe për krijimin e një sistemi që synon eliminimin e identiteteve kulturore të këtyre grupeve.

XS
SM
MD
LG