Ndërlidhjet

Kina raporton vdekjet e para me koronavirus pas gjashtë muajsh


Zyrtarë shëndetësorë në Pekin.
Zyrtarë shëndetësorë në Pekin.

Kina ka raportuar vdekjet e para me koronavirus pas gjashtë muajsh, teksa zyrtarët kanë paralajmëruar se kryeqyteti, Pekini, është duke u përballur me situatën më të rëndë prej shpërthimit të pandemisë.

Pekini, qytet me mbi 21 milionë banorë, ka regjistruar të hënën 316 raste të infektimit me koronavirus, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Tri viktima janë raportuar në Pekin prej ditës së shtunë, duke e çuar në 5.229 numrin total të viktimave në këtë shtet.

Këto vdekje janë regjistruar derisa qytetarët kinezë kanë protestuar kundër politikës shtetërore të Kinës për “zero raste me koronavirus”.

Si pasojë e kësaj politike kontroverse janë izoluar miliona persona.

Në Pekin, zyrtarët veçse kanë izoluar zonën Haidian, duke mbyllur dyqane, shkolla dhe restorante.

Tre milionë banorëve u është bërë thirrje të qëndrojnë nëpër shtëpi.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

XS
SM
MD
LG