Ndërlidhjet

Me dekada nuk ishte investuar në Klinikën e Syve


QKUK, foto nga arkivi.
QKUK, foto nga arkivi.

Zekije Vllahiu, 45-vjeçare, nga Komuna e Podujevës, në pamundësi për të marrë shërbimin shëndetësor brenda Qendrës Klinike Universitare, përkatësisht në Klinikën e Oftalmologjisë, për operacion në sy, ka udhëtuar drejt Turqisë.

Ajo thotë se nuk ka qenë përfituese nga fondi i Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht programit për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Ky fond, i cili mbulon koston e disa shërbimeve për qytetarët, është rreth 5 milionë euro në vit.

“Kam pasur problem me sy dhe në mënyrë shumë të shpejtë më ka avancuar sëmundja. Shërbimi që është dashur ta marr, nuk është kryer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, andaj kam hulumtuar dhe kam vendosur të udhëtojë drejt Stambollit për t’u operuar”.

“Kam kërkuar mjete në Ministrinë e Shëndetësisë, por procedurat ishin të gjata dhe ishte e pamundur të prisja, pasi që mund ta humbja syrin. Kështu që me mjetet e mia vetanake unë kam udhëtuar dhe kam kryer operacionin. Ai më ka kushtuar diku rreth 4 mijë euro”, tha Vllahiu.

Klinika e Syve është ndër qendrat, që sipas stafit, nuk është investuar në të me dekada.

Së fundmi, rreth një milion euro është shuma që Ministria e Shëndetësisë ndanë për pacientët që kanë probleme shëndetësore me sy, apo probleme oftalmologjike.

Ndarja e këtyre mjeteve vjen edhe si rrjedhojë e faktit se Klinika e Oftalmologjisë, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka pasur mangësi të mëdha në trajtimin e pacientëve, kryesisht në mungesë të aparaturës së nevojshme.

Megjithëkëtë, së fundmi në Klinikën Oftalmologjike, janë bërë investime prej mbi 350 mijë euro. Me këto investime dhe furnizime, po synohet të ulet edhe kostoja e shërbimeve shëndetësore jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili, sipas të cilit, po synohet që të kursehet xhepi i qytetarëve.

“Qëllimi i investimeve është që ta ruajmë shëndetin, por edhe xhepin e qytetarëve si edhe buxhetin e shtetit. Tashmë po besoj se edhe vetë mjekët janë inkurajuar me këto investime pasi do të kenë mundësi që edhe puna e tyre të del në pah. Jemi duke bërë lëvizje që nuk janë bërë me vite të tëra, dhe kështu do të ngritet cilësia e shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ministri Ismaili.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë, Adem Miftari tha se në këtë klinikë, prej shumë vjetësh nuk është bërë asnjë investim as në infrastrukturë e as në aparaturë. Andaj së fundmi pajisja me aparaturë, si për diagnostikim po ashtu edhe për trajtim, sipas tij, do të ndihmojë shumë.

“Mund të them se me dekada nuk ka pasur investime dhe një ringjallje të Klinikës së Oftalmologjisë. Gatishmëria e stafit është që të ofrojmë shërbime cilësore shëndetësore. Por, mendoj se shëndetësia çdo ditë avancon andaj edhe çdo herë ka nevojë për trajnime të stafit. Megjithëkëtë, mendoj se pa përkrahje edhe nga Qeveria e Kosovës, ne të vetëm nuk do të mund të bëjmë asgjë”, tha Miftari.

Klinika e Oftalmologjisë ka njoftuar se do të punojë me kapacitete të shtuara, pasi aty tashmë janë pajisur me mikroskop operativ për operimin e segmentit të pasmë të syrit, për trajtimin e patologjive të syrit, për diagnostikimin e sëmundjeve të retinës, e shumë pajisje të tjera.

XS
SM
MD
LG