Ndërlidhjet

Australia thotë se koalat janë të rrezikuara


Një grua duke u kujdesur për dy koala binjake në Australi. Fotografi nga arkivi.
Një grua duke u kujdesur për dy koala binjake në Australi. Fotografi nga arkivi.

Australia ka thënë se edhe zyrtarisht i konsideron koalat “të rrezikuara”, ndërkohë që autoritetet janë duke punuar për të luftuar ndikimin e zjarreve, thatësisë dhe sëmundjeve.

Konservatorët kanë thënë se popullsia e koalave është zvogëluar në pjesën më të madhe të Australisë në dy dekadat e fundit, duke paralajmëruar se ekziston rreziku i zhdukjes.

Ministrja e Ambientit, Sussan Ley, ka thënë se konsideron popullsinë e koalave si të rrezikuar, në mënyrë që t’iu ofrojë mbrojtje më të mirë në Uellsin e Ri Jugor dhe Kuinsllend.

Koala, e njohur në gjithë botën si simbol i kafshëve unike të Australisë, është konsideruar e “cenueshme” në dekadën e kaluar.

“Ne do të marrim masa të pashembullta për të mbrojtur koalat”, ka thënë ministrja, duke theksuar se Qeveria aktuale ka premtuar ndarjen e 35 milionë dollarëve amerikanë për të mbrojtur dhe për të ruajtur ambientin e koalave.

Ambientalistët e kanë mirëpritur statusin e ri për koalat, mirëpo kanë dënuar dështimin e Australisë për të mbrojtur këto specie deri më tani.

Sipas Komitetit Shkencor për Speciet e Kërcënuara, numri i koalave ka rënë nga 185 mijë më 2001 në vetëm 92 mijë më 2021.

XS
SM
MD
LG