Ndërlidhjet

Komisioni Evropian mat përparimin e Kosovës me ratifikimin e Demarkacionit


Vija kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Foto nga arkivi

Mungesa e vendimit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, do të reflektohet në gjetjet që do të publikohen në raportin e progresit (raporti vendor) të Komisionit Evropian, pjesa për Kosovën, vlerësojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat, që njihen si Raporti i Progresi, për vendet e Ballkanit Perëndimor, me anë të të cilit mat përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

Ky raport pritet të publikohen në muajt e parë të vitit 2018.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Raportin e ri të Progresit të Komisionit Evropian do të adresohet dështimi i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

“Në secilin takim që kemi pasur, qoftë në Kosovë, qoftë në delegacionet në Parlamentin Evropian është përmendur argumenti që ne duhet ta ratifikojmë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian unë besoj që do të jetë prapë si kërkesë që do t’ju parashtrohet institucioneve të vendit. Do të jetë një nga sfidat që ne kemi pasur edhe këtë vit, dhe që unë besoj se do të përsëritet edhe në vitin e ardhshëm, pasi që Kuvendi nuk ka arritur që ta ratifikojë”, thotë Deliu- Kodra.

Ajo thotë se Kosova ka nevojë për një konsensus të brendshëm politik rreth ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Qeveria e Kosovës tashmë e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, besohet se po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka vënë atë si kusht që Kosova duhet ta përmbushë për heqjen e vizave.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i tha Radios Evropa e Lirë se janë shënuar ngecje në përcaktimin e obligimeve që Komisioni Evropian i kë vënë Kosovës.

“Unë jam skeptik ndaj një raporti pozitiv, duke pasur parasysh ngecjet që janë, qoftë me hartimin e legjislacionit, në veçanti në pjesën e fundit të vitit 2017, që kanë qenë kërkesa në Raportin e Progresit dhe temat tjera që ndërlidhen me ecjen e Kosovës si kriter, qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë integrimit të plotë, siç është çështja e Demarkacionit dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit në vend”, tha Zemaj.

Kosova, shton Zemaj, nuk ka arritur të bëjë progres dhe se qeverisja aktuale ka stagnuar në marrjen e përgjegjësive që Kosova të jetë pjesë e familjes evropiane.

“Kjo do të reflektojë edhe në politikën e brendshme, në vetëdijesimin e marrjes së përgjegjësisë shtesë të individëve dhe strukturave që dëshirojnë t’i çojnë përpara këto procese. Përndryshe, ne do të stagnojmë do të bëjmë hapa regresiv dhe do të ketë ndikimin negativ në zhvillimin e Kosovës dhe në politikat e gjithëmbarshme”, thotë Zemaj.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi iu ka bërë thirrje deputetëve që me urgjencë ta ratifikojnë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ta evitojnë izolimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

Raporti i fundit i Progresit pati ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve. Aty ishin ngritur shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë.

Një nga hapat që Kosova ka bërë drejt integrimit në Bashkimin Evropian theksohet të jetë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG