Ndërlidhjet

Kompania e veshjeve H&M mbyll dyqanet e saj në Rusi


Një prej dyqaneve të mbyllura të kompanisë H&M në Moskë, Rusi.
Një prej dyqaneve të mbyllura të kompanisë H&M në Moskë, Rusi.

Kompania suedeze e veshjeve H&M ka marrë vendim për të ndërprerë veprimtarinë e saj në Rusi për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini.

"Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ne e shohim të pamundur, duke pasur parasysh situatën aktuale të vazhdojmë biznesin tonë në Rusi," tha drejtoresha ekzekutive e “H&M Group”, Helena Helmersson në një deklaratë më 18 korrik.

Kompania H&M kishte rritur praninë e saj në Rusi që nga hapja e përfaqësisë në vitin 2009-të, por i pezulloi shitjet në muajin mars pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

H&M ka parashikuar se mbyllja e biznesit në Rusi do t’i kushtojë kompanisë siedeze mbi 180 milionë euro.

Edhe dyqanet në Ukrainë janë mbyllur prej disa muajsh për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e klientëve dhe të stafit.

Që kur Rusia nisi pushtimin në shkurt, disa kompani të tjera shumëkombëshe si McDonalds dhe IKEA janë larguar nga Rusia pasi kanë njoftuar lëvizjet për të shitur asetet e tyre dhe për të ndërprerë partneritetin me bizneset lokale.

Sipas një përllogaritjeje nga Universiteti Yale në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 1000 kompani të huaja janë larguar nga Rusia që nga muaji shkurt i këtij viti.

XS
SM
MD
LG