Ndërlidhjet

Komplot i mundshëm për dhunë në Kongres


Forca të sigurisë duke parakaluar pranë ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington - foto arkivi.
Forca të sigurisë duke parakaluar pranë ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington - foto arkivi.

Siguria u rrit pranë Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në përgjigje të “një komploti të mundshëm për dhunë” të enjten, tha policia e Kongresit.

Masa u nxit nga inteligjenca, pas kërcënimeve të bëra nga një grup milicësh, thuhet në deklaratë.

Policia tha se është “e përgatitur për çdo kërcënim të mundshëm ndaj anëtarëve të Kongresit”.

Dhoma e Përfaqësuesve e anuloi seancën e së enjtes, pas zbulimit të kërcënimit.

Megjithatë, Senati, i cili gjithashtu mblidhet në Kongres, planifikon të mbajë debatin në lidhje me një paketë të ndihmës, të propozuar nga presidenti Joe Biden për lehtësimin e pasojave të koronavirusit.

“Departamenti ynë po punon me partnerët tanë lokalë, shtetërorë dhe federalë, për të ndaluar çdo kërcënim ndaj Kongresit”, tha përmes një deklarate policia e këtij institucioni.

“Ne po e marrim seriozisht inteligjencën. Për shkak të natyrës së ndjeshme të këtij informacioni, nuk mund të japim detaje shtesë në këtë moment”, tha policia.

Kërcënimi vjen dy muaj pasi mbështetës të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit ishin duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Trazirat lanë pesë persona të vrarë, përfshirë një oficer të policisë, ndërsa tronditën edhe bazat e demokracisë amerikane. Kreu i forcës policore të Kongresit dha dorëheqje më vonë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi mbi 300 njerëz për pjesëmarrje në dhunë.

Demokratët e cilësuan sulmin si kryengritje. Dhoma e Përfaqësuesve e fajësoi ish-presidentin republikan për nxitje të turmës, por Trump u shfajësua më vonë nga Senati.

Në fund të shkurtit, ushtruesja e detyrës së shefit të policisë së Kongresit, Yogananda Pittman, tha përpara një komiteti të Kongresit se mbështetësit e Trumpit, pas sulmit të 6 janarit, duan “të hedhin në erë” Kongresin dhe të vrasin ligjvënës.

Video:

Fundi kaotik i një presidenti
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:34 0:00

Përse është e rëndësishme e enjtja?

Mbështetësit e një teorie ekstremiste konspirative, e njohur si QAnon, në mënyrë të gabuar besojnë se e enjtja do të shënojë kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, për një mandat të dytë.

Ata kanë shënuar këtë datë, sepse përpara se amendamenti i 20-të i Kushtetutës amerikane - i miratuar në vitin 1933 - ta zhvendoste datën e betimit të presidentit dhe Kongresit në janar, udhëheqësit amerikanë kanë marrë detyrën më 4 mars.

QAnon është një teori e gjerë dhe plotësisht e pabazuar që thotë se ish-presidenti Trump po zhvillon një luftë të fshehtë kundër pedofilëve që adhurojnë djallin në qeveri, biznes dhe media.

Shërbimet e sigurisë ishin në dijeni për diskutimet në internet të grupit QAnon rreth 4 marsit, por nuk kishin “ndonjë tregues të dhunës ose ndonjë komplot specifik dhe të besueshëm”, i tha një zyrtar i FBI-së gazetës Washington Post javën e kaluar.

Të mërkurën, Melissa Smislova, shefe e përkohshme e inteligjencës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare, u konfirmoi ligjvënësve se inteligjenca ka bërë një buletin të brendshëm për “diskutimet e ekstremistëve rreth 4 marsit dhe 6 marsit”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG