Ndërlidhjet

Kriza e Ukrainës, temë kyçe në Konferencën e Sigurisë në Mynih


Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës arrin në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës arrin në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Konferenca e Sigurisë në Mynih është hapur me liderë botërorë, zyrtarë të lartë dhe ekspertë të sigurisë të vendosur të fokusohen në krizën në përshkallëzim të shkaktuar nga frika se Rusia po përgatitet të pushtojë Ukrainën.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres tha në ceremoninë e hapjes më 18 shkurt se do të ishte "katastrofike" nëse kriza Rusi-Ukrainë do të përshkallëzohej në një luftë.

Në forumin e sigurisë, ku janë planifikuar gjithashtu një sërë takimesh, po marrin pjesë Zëvendës-presidentja e SHBA-së Kamala Harris, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe udhëheqës të tjerë dhe zyrtarë të lartë.

Mbledhja po zhvillohet ndërsa tensionet rriten përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë pas ngritjes së forcave të Kremlinit në rajon.

Blinken i tha konferencës se bombardimet gjatë dy ditëve të fundit në Ukrainën lindore ishin pjesë e përpjekjeve ruse për të krijuar "provokime të rreme" për të justifikuar agresionin e mëtejshëm kundër Ukrainës.

Ai tha se ishte pjesë e "një skenari që tashmë është në vend të krijimit të provokimeve të rreme, për t'iu përgjigjur më pas atyre provokimeve dhe më pas në fund të kryerjes së agresionit të ri kundër Ukrainës".

Harris është planifikuar të takohet me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg më 18 shkurt si dhe do të zhvillojë bisedime me Scholz, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe krerët e tre vendeve baltike: Lituania, Letonia dhe Estonia.

Teksa filloi bisedimet e saj me udhëheqësit baltik, Harris përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për aleatët e tij të NATO-s në mes të veprimeve ruse në rajon.

"Unë i njoh kërcënimet ... ne qëndrojmë me ju për këtë dhe shumë çështje të tjera. ... dhe ne qëndrojmë së bashku si aleatë të NATO-s," tha ajo.

"Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të përkushtuara ndaj nenit 5...ai është i veshur me hekur," shtoi ajo, duke iu referuar klauzolës së mbrojtjes reciproke të NATO-s, e cila kërkon që të gjithë anëtarët t'i vijnë në ndihmë çdo anëtari tjetër nën sulm.

Stoltenberg tha se ai përshëndeti “faktin që aleatët evropianë po rriten, duke rritur gjithashtu praninë e tyre në kufirin lindor të aleancës dhe gjithashtu duke investuar më shumë në mbrojtje”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se të shtunën, 19 shkurt, do të mbahen stërvitje të reja ushtarake, të cilat do të mbikëqyren nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Në stërvitje është thënë se do të marrin pjesë trupa dhe pajisje të forcave të hapësirës ajrore nga rajoni jugor, ai verior dhe Deti i Zi.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.

Kremlini këmbëngul se NATO nuk duhet ta pranojë kurrë Ukrainën dhe duhet të tërheqë forcat e saj pranë kufijve të Rusisë.

Por Perëndimi ka refuzuar atë që e quan ofertë nga Moska për të diktuar të ardhmen e partnerëve të pavarur dhe e kërcënoi Moskën me “kosto të rënda” nëse sulmon Ukrainën.

XS
SM
MD
LG